“Struktura e mendimit ” – një reflektim mbi arkitekturën, trashëgiminë, ndërtimin dhe identitetin

Bardhyl Halitjaha sjell në Kosovë përvojën e fituar ndër vite në Evropë dhe Lindjen e Mesme,
duke e shndërruar atë në një libër kushtuar arkitekturës, ndërtimit dhe vlerave që lënë gjurmë
në kohë
Libri “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin”, i autorit Bardhyl
Halitjaha, përfaqëson një rrugëtim profesional dhe intelektual të ndërtuar ndër vite përmes
përvojës në projekte të ndryshme arkitekturore dhe inxhinierike brenda dhe jashtë Evropës.

I promovuar gjatë muajit gusht 2026 në Prishtinë, Suharekë dhe Prizren, libri u mirëprit nga
profesionistë të arkitekturës dhe ndërtimit, përfaqësues të institucioneve kulturore, studiues,
studentë dhe lexues të interesuar për zhvillimin e hapësirës së ndërtuar dhe ruajtjen e
trashëgimisë arkitekturore. Gjatë promovimeve, diskutimet nuk u kufizuan vetëm te libri si
botim i ri, por u shndërruan në një debat më të gjerë mbi profesionin, etikën, përvojën
praktike dhe përgjegjësinë që bart çdo profesionist ndaj asaj që projekton dhe ndërton.
Në qendër të veprës qëndron bindja se arkitektura dhe ndërtimi nuk janë vetëm çështje
formash, materialesh dhe teknologjish ndërtimore. Ajo është një pasqyrë e mënyrës se si
mendon një shoqëri, e vlerave që ajo ruan dhe e gjurmëve që dëshiron t’u lërë brezave që
vijnë.
Përmes reflektimeve dhe përvojave profesionale, autori trajton tema që lidhen me projektimin,
ndërtimin, restaurimin, përgjegjësinë profesionale dhe raportin mes zhvillimit modern dhe
ruajtjes së identitetit kulturor. Libri ngre pyetje që shkojnë përtej profesionit: si ndërtojmë,
çfarë ruajmë dhe çfarë humbim kur harrojmë lidhjen mes arkitekturës dhe historisë
sonë.

Vlera e veprës është vënë në pah edhe nga recensenti Dr. Sc. Ilir Rodiqi, i cili e ka cilësuar
librin si “një kontemplacion mbi rrjedhat që zhvillohen në projektet arkitektonike”. Sipas
tij, vepra nuk është një tekst teorik apo shkencor në kuptimin tradicional, por një përmbledhje
reflektimesh që burojnë nga përvoja e drejtpërdrejtë e autorit në projektet ndërtimore dhe
praktikat profesionale. Ai ka theksuar se suksesi i një projekti nuk varet vetëm nga teknologjia
dhe dokumentacioni, por edhe nga dija, parimet dhe përgjegjësia profesionale e atyre që e
realizojnë atë.
Po ashtu, redaktorja e librit, pedagogia Loreta Schillock, e ka vlerësuar veprën si një tekst që
kërkon të lexohet dhe rilexohet, në mënyrë që lexuesi të depërtojë më thellë në mendimet dhe
mesazhet e autorit. Sipas saj, një nga veçantitë e librit është se arkitektura trajtohet jo vetëm si
profesion teknik, por edhe si mënyrë e të menduarit dhe e reflektimit mbi hapësirën, njeriun
dhe shoqërinë.
Një vend të veçantë në vepër zë trashëgimia arkitekturore, të cilën autori e konsideron një nga
dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të një populli. Për Bardhyl Halitjahan, restaurimi
dhe ruajtja e objekteve me vlerë historike nuk është vetëm proces teknik, por një përgjegjësi
ndaj kujtesës kolektive dhe kulturës së një vendi.
Kjo filozofi përmblidhet në një nga mesazhet kryesore të autorit:
“Arkitektura është edhe identitet i një vendi.”
Rrugëtimi profesional i Bardhyl Halitjahës është i lidhur ngushtë me jetën e tij si mërgimtar.
Për shumë vite ai ka vepruar në Gjermani, ku ka fituar përvojë në projektim, modelim
tredimensional, restaurim dhe realizim të projekteve komplekse ndërtimore. Pjesë e kësaj
eksperience janë edhe angazhimet në projekte me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë punën në
zgjerimin e Matafit në Xhaminë e Madhe në Mekë, Grand Tower ndërtesa më e lart në
Gjermani, Stacioni i Trenit Stuttgart si dhe pjesëmarrjen në projekte të restaurimit dhe
ruajtjes së trashëgimisë arkitekturore.
“Struktura e Mendimit” është rezultat i dëshirës për ta sjellë këtë përvojë pranë lexuesit
shqiptar, duke e shndërruar praktikën profesionale në reflektim dhe dijen e fituar në një burim
frymëzimi për brezat e rinj të arkitektëve, inxhinierëve dhe studiuesve.

Libri u drejtohet jo vetëm profesionistëve të fushës, por edhe studentëve, studiuesve dhe të
gjithë atyre që besojnë se hapësira ku jetojmë, ndërtesat që ndërtojmë dhe monumentet që
ruajmë janë pjesë e identitetit tonë kolektiv.
Në thelb, mesazhi i veprës është se të ndërtosh nuk mjafton. Përpara çdo ndërtimi duhet të
ekzistojë mendimi; pas çdo vendimi duhet të qëndrojë përgjegjësia; ndërsa pas çdo vepre
mbetet gjurma e atyre që e kanë projektuar dhe ndërtuar.
“Struktura e Mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin” mund të gjendet në
libraritë kryesore të Kosovës, ndërsa informacionet më të reja për librin, aktivitetet
promovuese dhe temat nga fusha e arkitekturës, ndërtimit dhe trashëgimisë kulturore mund të
ndiqen edhe përmes faqeve të tij online.

Struktura e mendimit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo