Siljanovska pranon kredencialet e ambasadorit të ri të Turqisë në Shkup

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Turqisë në Shkup, Alper Aktas.

Sipas një njoftimi të presidencës, duke i uruar mirëseardhje në detyrën e re, Siljanovska-Davkova ka shprehur bindjen se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet e mira Maqedoni e Veriut-Turqi do të thellohen më tej.

Ajo ka thënë se Turqia nuk është vetëm një partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm në NATO, por edhe një mik i sinqertë që i kupton prioritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, krijimi i Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë përbën një hap përpara në aspektin politik.

Ndërkaq, ambasadori Aktas ka theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik për të dyja vendet.

Siljanovska-Davkova ka theksuar se ka hapësirë për bashkëpunim në ekonomi, tregti, mbrojtje, infrastrukturë, energji, turizëm, kulturë dhe arsim.

Ajo ka përshëndetur gjithashtu Platformën e Paqes për Ballkanin, të iniciuar nga Turqia, si një kuadër për ndërtimin e stabilitetit rajonal përmes dialogut.

Të dyja palët kanë vlerësuar se komuniteti turk është pjesë e rëndësishme e mozaikut etnik dhe fetar të Maqedonisë së Veriut, ndërsa qytetarët me origjinë nga Maqedonia e Veriut në Turqi përbëjnë një urë të fortë mes dy vendeve.

Gjatë takimit, ata kanë ndarë edhe histori personale që i lidhin me njëri-tjetrin. Ambasadori Aktas ka folur për origjinën e tij familjare nga Maqedonia e Veriut, ndërsa Siljanovska-Davkova ka kujtuar se ka lindur në një shtëpi turke në Ohër.

Në fund, presidentja Siljanovska-Davkova i ka uruar ambasadorit Aktas sukses në ushtrimin e detyrës së tij diplomatike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo