Rusia sulmon centralet elektrike të Ukrainës

Rusia ka goditur disa centrale elektrike dhe objekte të infrastrukturës energjetike në Ukrainë, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një “armëpushim energjetik”, që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të të dyja palëve.

Një central elektrik në Kiev u godit nga një dron, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në kryeqytetin ukrainas. Sulmet vijuan më pas ndaj infrastrukturës energjetike në Harkiv, ndërsa nga Rusia nuk pati konfirmim të menjëhershëm për ndonjë marrëveshje armëpushimi.

Trump kishte deklaruar më herët se të dyja palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet ndaj objekteve energjetike. “Me efekt të menjëhershëm, ka një ARMËPUSHIM ENERGJETIK në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni!”, shkroi ai në rrjetin e tij Truth Social, pa dhënë detaje të tjera për marrëveshjen.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ishte njoftuar paraprakisht për këtë zhvillim. Në një intervistë për Axios, ai u shpreh se njoftimi i Trumpit ishte lajm edhe për të, por theksoi se Ukraina do ta pranonte armëpushimin nëse Rusia do të angazhohej për zbatimin e tij.

“Për mua ishte lajm. Por nëse rusët pajtohen me një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do të pajtohet”, deklaroi Zelensky.

Para sulmeve të reja ruse, lideri ukrainas kishte përsëritur se Kievi e mbështet ndalimin e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe se priste hollësi nga pala amerikane.

“Ukraina e mbështet armëpushimin dhe është e rëndësishme që edhe Rusia ta mbështesë atë”, shkroi Zelensky në Facebook.

Ai shtoi se vendi i tij mbështet plotësisht çdo hap që synon uljen e tensioneve, mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe krijimin e kushteve për përfundimin e luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Franca mbështet një “armëpushim të vërtetë energjetik” mes Rusisë dhe Ukrainës, në një kohë kur çmimi i naftës për automjete në Francë ka arritur në rreth 2.25 euro për litër.

Macron akuzoi Moskën se po refuzon një marrëveshje të tillë dhe se, përkundrazi, ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase.

“Franca do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës dhe presidentit Zelensky”, deklaroi ai.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen e saj për thirrjen e Zelenskyt për një armëpushim që do të mbronte furnizimet globale me ushqime dhe infrastrukturën energjetike në të dyja vendet.

Ndërkaq, kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi më ashpër ndaj marrëveshjes së paralajmëruar nga Trump. Sipas tij, një marrëveshje që lehtëson kufizimet ndaj Rusisë mund të dëmtojë përpjekjet për stabilitet në Evropë, duke i siguruar Moskës të ardhura shtesë për financimin e luftës kundër Ukrainës.

Deri në momentin e raportimit, Rusia nuk kishte konfirmuar se kishte pranuar armëpushimin energjetik. Në vend të një konfirmimi zyrtar, Moska vijoi sulmet ndaj objekteve energjetike ukrainase.

“ Nëse presidenti Trump e ka negociuar këtë me Putinin, ju lutem na tregoni se kur fillon armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta pranojmë”, tha Zelensky për Axios.

Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë tensionesh mes Trumpit dhe Zelenskyt, pasi presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht homologun ukrainas dhe ka sugjeruar se Ukraina duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri, i cili do të ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Në një intervistë televizive për ABC News, Zelensky tha se vendimi për udhëheqjen e vendit i takon popullit ukrainas.

“Para së gjithash, me gjithë respektin për presidentin Trump, i takon shoqërisë sonë dhe popullit tonë të zgjedhë njërin apo tjetrin udhëheqës”, deklaroi ai.

Të dielën, Zelensky tha se Ukraina mund të organizojë zgjedhje nëse Rusia pranon një armëpushim të plotë prej 60 ditësh.

Ai gjithashtu kundërshtoi vendimin e administratës amerikane për të lehtësuar përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, duke argumentuar se kjo mund t’i sigurojë Moskës të ardhura për vazhdimin e luftës.

“Mos na sulmoni. Mos i vrisni fëmijët tanë. Ne do të ndalojmë sulmet ndaj naftës suaj. Mendoj se kjo është një marrëveshje e drejtë”, tha Zelensky në intervistën për ABC News.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi gjithashtu ndaj komenteve të Trumpit, duke shkruar në platformën X se Zelensky po e udhëheq vendin në një luftë për pavarësinë e tij dhe se gëzon mbështetjen e popullit ukrainas.

Sipas Sybihës, vetëm qytetarët e Ukrainës kanë të drejtë të vendosin për udhëheqjen e vendit.

Përplasja mes dy presidentëve është thelluar edhe pas marrëveshjes së shpallur të premten mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, për blerjen e naftës ruse. Sipas administratës amerikane, masa synon të ndihmojë në uljen e çmimeve të larta të karburanteve përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

Trump ka kërkuar prej javësh që Ukraina të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke fajësuar Kievin për rritjen e çmimeve të naftës në SHBA.

Megjithatë, zyrtarë ukrainas dhe evropianë kanë shprehur shqetësimin se lehtësimi i përkohshëm i sanksioneve ndaj naftës ruse mund t’i mundësojë Moskës të sigurojë më shumë të ardhura për financimin e luftës.

Ata kanë argumentuar gjithashtu se rritja e çmimeve globale të energjisë lidhet edhe me luftën e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Iranit, dhe jo vetëm me sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse.

Sulmet e fundit ndaj centraleve elektrike ukrainase kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi mundësinë e zbatimit të armëpushimit të paralajmëruar nga Trump dhe mbi gatishmërinë e Moskës për të ndalur goditjet ndaj infrastrukturës jetike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo