Rasti që çoi në suspendimin e tre policëve, çfarë dihet deri më tani?

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se tre zyrtarë policorë janë suspenduar nga puna, nën dyshimin për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm ndaj një vajze në Prishtinë.

Sipas njoftimit të IPK-së, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ndërsa zyrtarët e dyshuar janë nga Stacioni Policor “Jugu” në Prishtinë.

Ndërkaq, gazetarja e Klan Kosova, Altiana Zogaj, duke u bazuar në burimet e saj, ka raportuar se zyrtarët e dyshuar i përkasin gjeneratave të fundit të Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, rasti është raportuar te autoritetet nga një e afërme e vajzës, pasi kjo e fundit dyshohet se ishte përballur me kërkesa për marrëdhënie seksuale në grup nga tre policët.

Më shumë detaje për rastin ka dhënë edhe gazetari i Klan Kosova, Kastriot Tahiri, i cili ka bërë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur vajza po kthehej në shtëpi pasi kishte dalë nga një klub nate.

Sipas informacioneve të raportuara nga Tahiri, vajza ishte ndaluar nga një patrullë policore dhe i ishin kërkuar dokumentet e identifikimit. Meqë nuk i kishte të gjitha dokumentet, sipas burimeve, policët i kishin kërkuar edhe emrin në rrjetet sociale.

Më pas, sipas të njëjtave informacione, zyrtarët e dyshuar i kishin kërkuar vajzës të shkonte në drejtim të Çagllavicës, me qëllim që të kryenin marrëdhënie seksuale në grup në njërin nga motelet e asaj zone.

Pas pranimit të ankesës, Policia e Kosovës ka njoftuar IPK-në dhe ka bashkëpunuar me këtë institucion për sigurimin dhe dokumentimin e provave relevante.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo