Policia e Shqipërisë reagon pas pretendimeve se në protestën e 15 tetorit kishte policë nga Serbia





Policia e Shtetit në Shqipëri ka reaguar ndaj pretendimeve të shpërndara në rrjetet sociale se në mesin e zyrtarëve policorë të angazhuar në protestën e 15 tetorit në Tiranë kishte edhe punonjës policie nga Serbia.

Në reagimin zyrtar, këto pretendime janë cilësuar si tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe, me qëllim të shfrytëzimit të ndjenjave nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të dëmtuar besimin e qytetarëve në institucion.

Sipas Policisë së Shtetit, në protestën e 15 tetorit, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të policisë shqiptare, të caktuar në shërbim në bazë të planit të masave.

“Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë”, thuhet në reagimin e institucionit.

Policia ka shprehur keqardhje për përhapjen e këtyre informacioneve në rrjetet sociale, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos u besojnë pretendimeve të pavërtetuara që qarkullojnë në internet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo