“Do ta financoj padinë e të riut” – Nafie Selmani me akuza të forta ndaj Qokut: Koha e të paprekshmëve ka marrë fund
Nafie Selmani ka reaguar ashpër përmes një postimi publik në rrjetet sociale, duke akuzuar Qokun për presion dhe mobing ndaj një të riu, ndërsa ka bërë të ditur se është i gatshëm të mbulojë të gjitha shpenzimet e një padie të mundshme kundër tij informon Tetovasot.
Selmani shkruan se është i zhgënjyer nga sjellja e një personi në pozitë, duke theksuar se përdorimi i pushtetit për të ushtruar presion ndaj të rinjve përbën, sipas tij, një “mjerim moral”.
“Mobingu dënohet me ligj. E inkurajoj këtë djalë që ta shqyrtojë seriozisht mundësinë e ngritjes së një padie kundër Qokit. Nëse ka pengesa financiare, shpenzimet e padisë dhe të procedurës do t’i marr unë përsipër”, shkruan Selmani.
Ai pranon se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është i ulët, por vlerëson se beteja ligjore është e domosdoshme për mbrojtjen e dinjitetit dhe për krijimin e një precedenti moral.
Në reagimin e tij, Selmani thekson se “Qokit dhe kaubojve të tjerë të pushtetit duhet t’u bëhet e qartë se koha kur mund të silleshin si të paprekshëm po merr fund”, duke bërë thirrje që përballja të zhvillohet me mjete ligjore, guxim dhe dinjitet.
Në fund të postimit, ai bën të ditur se edhe vetë është në pritje të një vendimi gjyqësor për një padi të ngritur më herët dhe se nuk do të tërhiqet nga kërkimi i drejtësisë.
“Nuk do të ndalem. Jo vetëm për veten time, por edhe për të gjithë ata që përballen me padrejtësi dhe që, nga frika apo pamundësia, nuk guxojnë të kërkojnë llogari,” përfundon Selmani në reagimin e tij.