Mickoski: Qëllimi është i qartë, të jemi një vend ku puna respektohet, dija vlerësohet, ndërsa puna siguron një jetë dinjitoze
Sot flasim për një nga temat më të rëndësishme për çdo shoqëri: punën. Për njeriun që krijon, prodhon, ndërton dhe me punën e tij, siguron jetesën e familjes së vet.
Flasim për dinjitetin e punës, për të drejtën e çdo njeriu për një punë të denjë, pagë të drejtë, kushte të sigurta pune dhe mundësi për avancim profesional.
Sepse ekonomia nuk përbëhet vetëm nga shifra, statistika dhe përqindje. Pas çdo shifre qëndron një njeri. Pas çdo page qëndron një familje. Pas çdo vendi të ri pune qëndron shpresa për jetë më të mirë.
Pikërisht për këtë arsye, nënshkrimin e sotëm të Programit Nacional për Punë të Denjë për periudhën 2026–2030 e konsideroj si një zotim të rëndësishëm të përbashkët.
Detyrim i Qeverisë, i punëdhënësve, i sindikatave dhe i të gjitha institucioneve që mbajnë përgjegjësi për të ardhmen e ekonomisë së Maqedonisë.
Qëllimi ynë është i qartë: të jemi një vend ku puna respektohet, dija vlerësohet dhe puna siguron një jetë dinjitoze.
Të nderuar,
Gjatë viteve të fundit përballemi me sfida serioze. Mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrim të të rinjve, produktivitet të pamjaftueshëm dhe mospërputhje ndërmjet sistemit arsimor dhe nevojave të kompanive.
Këto janë probleme që nuk zgjidhen brenda natës. Por ato mund të tejkalohen përmes një strategjie të qartë, vendosmërisë dhe partneritetit.
Ne synojmë një ekonomi që rritet, por, edhe më e rëndësishme, një ekonomi, rritjen e së cilës e ndjejnë qytetarët.
Synojmë më shumë investime, por investime që krijojnë vende pune cilësore dhe të paguara mirë.
Duam kompani të suksesshme, sepse pa kompani të suksesshme nuk ka ekonomi të fortë. Por, njëkohësisht, synojmë edhe punonjës të kënaqur, të mbrojtur dhe të motivuar.
Këto dy synime nuk janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Përkundrazi, ato janë të lidhura ngushtë.
Nuk ka ekonomi të fortë pa kompani të fuqishme. Por nuk ka as shtet vërtet të suksesshëm pa punëtorë, puna e të cilëve vlerësohet në mënyrë të drejtë.
Pikërisht për këtë arsye, politikat tona synojnë rritjen e produktivitetit, zhvillimin e aftësive të reja, përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.
Vëmendje të veçantë u kushtojmë të rinjve.
Nuk duam që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut. Dëshirojmë që këtu ta kenë mundësinë e tyre të parë, këtu të ndërtojnë karrierën, këtu të krijojnë familje dhe këtu t’i realizojnë ambiciet e tyre.
Gjithashtu, duhet të krijojmë më shumë mundësi për fuqizimin ekonomik të grave, për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës dhe për garantimin e mundësive të barabarta për zhvillim profesional.
Kjo nuk është vetëm çështje e drejtësisë sociale, por edhe e përparimit ekonomik.
Zonja dhe zotërinj,
Organizata Ndërkombëtare e Punës është partneri ynë prej shumë vitesh.
Me mbështetjen e saj janë zhvilluar mekanizma të rëndësishëm për dialogun social, mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, pagën minimale, punësimin e të rinjve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës.
Sot, këtë partneritet e vazhdojmë përmes një programi të ri dhe me prioritete të reja.
Përpara nesh qëndrojnë reforma e legjislacionit të punës, modernizimi i institucioneve, përforcimi i mbikëqyrjes inspektuese, zhvillimi i aftësive dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona.
Dua të theksoj diçka që është veçanërisht e rëndësishme.
Ligjet janë të rëndësishme. Programet janë të rëndësishme. Memorandumet janë të rëndësishme. Por, më e rëndësishmja është që qytetarët t’i ndjejnë rezultatet e tyre.
Që punëtori të ndjejë më shumë siguri.
Që i riu të ketë një mundësi reale.
Që gruaja të ketë mundësi të barabarta për avancim profesional.
Që punëdhënësi të ketë kushte për të investuar, për të krijuar dhe për të hapur vende të reja pune.
Ky është thelbi i punës sonë të përbashkët.
Të nderuar miq,
Besoj në një Maqedoni që krijon. Në një Maqedoni që prodhon. Në një Maqedoni ku suksesi arrihet përmes dijes, përkushtimit dhe punës së ndershme.
Besoj se burimi më i madh i vendit tonë nuk janë vetëm pasuritë natyrore, infrastruktura apo investimet.
Pasuria jonë më e madhe janë njerëzit.
Punëtori në fabrikë. Bujku në arë. Mjeku në spital. Mësuesi në shkollë. Inxhinieri, sipërmarrësi, zejtari. Çdo njeri që me punën e tij kontribuon në të ardhmen tonë të përbashkët.
Puna e tyre meriton respekt. Puna e tyre meriton siguri. Familjet e tyre meritojnë një jetë më të mirë.
Prandaj, detyra jonë nuk është vetëm të hapim vende të reja pune, por edhe të krijojmë kushte në të cilat çdo vend pune do të ofrojë perspektivë, dinjitet dhe shpresë.
Në fund, më lejoni të shpreh mirënjohjen time për Organizatën Ndërkombëtare të Punës, për znj. Kolumbia, për partnerët tanë socialë dhe për të gjithë ata që kontribuuan në përgatitjen e këtij programi.
Sot nënshkruajmë një dokument, por obligimi ynë i vërtetë fillon nesër – me zbatimin e tij.
Sepse puna e denjë nuk është privilegj. Është e drejtë.
Ndërsa jeta dinjitoze nuk duhet të jetë një dëshirë e paarritshme. Ajo duhet të jetë realitet, një mundësi konkrete për çdo qytetar tonin.
Për një shtet të tillë punojmë.
Një Maqedoni ku puna shpërblehet, suksesi vlerësohet dhe e ardhmja ndërtohet në vendin tonë.