Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mbajti fjalim hyrës në tryezën e rrumbullakët ekzekutive me temë „Ndërtimi i një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, të qasshëm dhe të orientuar drejt pacientit“, organizuar nga Dhoma Ekonomike Holandeze në Maqedoni. Në këtë aktivitet morën pjesë politikëbërës, ofrues të shërbimeve shëndetësore, ekspertë klinikë, përfaqësues të sektorit financiar dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të industrisë.
Pas ministrit Klekovski, fjalë përshëndetëse mbajti drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Holandeze, Bob Smith, i cili zyrtarisht e hapi aktivitetin.
Diskutimi u organizua në tri sesione:
Transformimi i sistemit shëndetësor dhe rrugët e kujdesit — si, përmes kujdesit më të integruar dhe më të koordinuar, të përmirësohen rezultatet për pacientët, nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te trajtimi, rehabilitimi dhe menaxhimi afatgjatë i sëmundjeve kronike;
Barazia në shëndetësi dhe qasja në shërbime — dallimet rajonale në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, sfidat me personelin, ndërlidhja digjitale ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe kujdesi kardiovaskular si shembull për referim dhe koordinim më të mirë;
Financimi i qëndrueshëm, partneritetet dhe modernizimi i sistemit shëndetësor — si të investohet në mënyrë efikase në infrastrukturë, teknologji dhe shërbime, përmes planifikimit dhe shfrytëzimit më të mirë të kapaciteteve ekzistuese dhe me qëndrueshmëri afatgjatë.
„Çdo investim në pajisje, objekte dhe digjitalizim e vlerësojmë përmes një pyetjeje të vetme – a arrin pacienti më shpejt te diagnoza dhe trajtimi dhe a merr kujdes të njëjtë, pavarësisht se ku jeton. Nuk është e rëndësishme vetëm se sa investojmë, por sa me efikasitet investojmë – me prioritete të qarta, me shfrytëzim më të mirë të asaj që tashmë e kemi dhe me partneritete që sjellin vlerë për shëndetin publik“, deklaroi ministri Klekovski.
