MINISTRJA BOZHINOVSKA NË BEOGRAD: MAQEDONIA PO NDËRLIDHET ME RRUGË TË REJA ENERGJETIKE DHE PO FORCON FURNIZIMIN

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë
sot në Beograd në takimin e dytë të ministrave të energjetikës të Maqedonisë, Serbisë,
Greqisë dhe Bullgarisë, nikoqire e të cilit ishte Republika e Serbisë.
Në fokus të takimit ishin bashkëpunimi rajonal energjetik dhe forcimi i sigurisë
energjetike në Evropën Juglindore dhe Qendrore, me theks te diversifikimi i burimeve
dhe rrugëve të furnizimit, ndërlidhja energjetike rajonale dhe zhvillimi i rajonit si korridor i
rëndësishëm energjetik për Evropën.
Një nga temat kryesore ishte zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe shfrytëzimi i
kapaciteteve ekzistuese, si dhe përparimi në realizimin e interkoneksioneve të reja të
gazit. Në takim u përshëndet përfshirja e Maqedonisë dhe Serbisë në ,,Korridorin
Vertikal të Gazit”, përmes operatorëve të tyre të sistemeve të transmetimit, si dhe
njoftimi se ndërtimi i interkoneksionit të gazit mes dy vendeve do të nisë së shpejti.
Interkoneksioni Serbi–Maqedoni do të lidhet me interkoneksionin Maqedoni–Greqi, i cili
është në ndërtim e sipër. Sipas dinamikës së dakorduar, pjesa greke pritet të përfundojë
deri në fund të vitit 2026, ndërsa pjesa maqedonase në vitin 2027. Për pjesën serbe të
interkoneksionit tashmë janë dorëzuar tubat e parë, ndërsa vendosja e tubacionit do të
fillojë në periudhën e ardhshme.
Me realizimin e këtyre projekteve infrastrukturore do të hapet një rrugë e re për
furnizimin e Maqedonisë me gaz natyror të lëngshëm përmes terminalit në
Aleksandrupoli, krahas rrugëve ekzistuese të furnizimit përmes Bullgarisë. Kjo do të
diversifikojë më tej burimet dhe rrugët e furnizimit dhe do të forcojë qëndrueshmërinë e
sistemit energjetik rajonal.
Në takim u rikonfirmua angazhimi për zhvillimin e mëtejshëm të “Korridorit Vertikal të
Gazit” dhe forcimin e tij si një portë e sigurt energjetike drejt Evropës Juglindore dhe
Qendrore, si dhe Ballkanit Perëndimor. Infrastruktura e gazit, interkoneksionet dhe
kapacitetet rajonale për gaz natyror të lëngshëm do t’u mundësojnë vendeve të rajonit
më shumë fleksibilitet dhe qasje në burime të diversifikuara të gazit.
Ministrat diskutuan gjithashtu për zhvillimin e ardhshëm të infrastrukturës së gazit,
përfshirë mundësinë që kapacitetet ekzistuese dhe të reja infrastrukturore të përdoren
në të ardhmen edhe për transportin e hidrogjenit, në përputhje me proceset e
tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit.

Sa i përket sektorit elektroenergjetik, ministrat shkëmbyen informacione për
gatishmërinë e sistemeve të transmetimit për sezonin e ardhshëm dimëror dhe
mundësitë për shkëmbimin e energjisë elektrike. U diskutua gjithashtu për zhvillimin e
burimeve të ripërtëritshme të energjisë, rrjeteve të transmetimit, hidrocentraleve
reversibile dhe sistemeve të baterive, me qëllim rritjen e fleksibilitetit dhe të kapaciteteve
për magazinimin e energjisë.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua integrimit të mëtejshëm të tregjeve të
energjisë elektrike të vendeve të Komunitetit të Energjisë me tregjet e vendeve anëtare
të Bashkimit Evropian. Integrimi më i thellë i tregjeve do të kontribuojë në rritjen e
fleksibilitetit, në përmirësimin e mundësive për shkëmbim ndërkufitar të energjisë
elektrike dhe në forcimin e sigurisë së furnizimit në rajon.
Në takim u shqyrtua gjithashtu zhvillimi i mundshëm i degës juglindore të sistemit
kombëtar të naftësjellësve për transportin e derivateve të naftës përgjatë trasesë
Selanik–Shkup–Nish. Zhvillimi i këtij korridori do të mundësonte ndërlidhjen e
mëtejshme të Serbisë, përmes Maqedonisë, me infrastrukturën energjetike dhe portin e
Selanikut.
Ministrat shkëmbyen mendime edhe për tranzicionin e drejtë energjetik dhe
dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nevojën për një qasje të
koordinuar dhe mbështetje të përshtatshme financiare nga Bashkimi Evropian. U
diskutua gjithashtu për kuadrin rregullator të BE-së, përfshirë Mekanizmin e Rregullimit
të Kufirit të Karbonit (CBAM), si dhe për nevojën që vendet e rajonit të mbështeten në
përshtatjen me kërkesat e reja.
Në delegacionin maqedonas në Beograd janë edhe drejtori i MEMO-s, Zoran
Gjorgjievski, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Aleksandar Paunoski, si dhe
përfaqësues të NOMAGAS-it.
Pas përfundimit të takimit ministror, delegacioni maqedonas do të vazhdojë aktivitetet e
punës në Beograd. Gjatë qëndrimit, ministrja Bozhinovska do të zhvillojë edhe një takim
dypalësh me ministren e Energjisë së Bullgarisë, Iva Petrova, ku do të diskutojnë për
avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit energjetik dhe ndërlidhjen rajonale.
Takimi i dytë ministror në Beograd rikonfirmoi angazhimin e katër vendeve për
vazhdimin e bashkëpunimit rajonal dhe veprimin e përbashkët për rritjen e sigurisë
energjetike, ndërlidhjes dhe qëndrueshmërisë së sistemeve energjetike në Evropën
Juglindore.

MINISTRJA BOZHINOVSKA NË BEOGRAD: MAQEDONIA PO NDËRLIDHET ME RRUGË TË REJA ENERGJETIKE DHE PO FORCON FURNIZIMIN

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo