Filmuan një aksident të rëndë në autostradë, të gjithë u gjobitën me nga 449 euro: “Kjo është humbje e njerëzisë!”
Gjithsej 29 shoferë janë gjobitur me nga 449 euro, pasi në një autostradë në Holandë nxorën pa pikë turpi telefonat e tyre celularë për të filmuar aksionin e shpëtimit dhe trajtimit të viktimave të një aksidenti të rëndë trafiku.
Incidenti i turpshëm ndodhi të mërkurën pasdite në autostradën A58, pranë qytetit Oirschot, në drejtim të Ajndhovenit. Ndërsa ekipet e shpëtimit dhe shërbimet emergjente po luftonin për jetën e të lënduarve, shoferët e papërgjegjshëm ngadalësonin trafikun për të regjistruar me kamerat e telefonave të tyre të gjitha pamjet nga vendi i ngjarjes, raportojnë mediat, duke iu referuar njoftimit të policisë holandeze të trafikut.
Kureshtja morbide përballë një tragjedie njerëzore
Për shkak të aksidentit të rëndë, ku ishin përfshirë disa automjete dhe ishin lënduar dy persona, autostrada A58 u mbyll plotësisht për disa orë në drejtim të Ajndhovenit. Ndërsa ekipet mjekësore u jepnin ndihmën e parë viktimave dhe policia kryente hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, në vend të solidaritetit u shfaq papërgjegjësia e kalimtarëve.
Policët në terren mbetën të tronditur nga sjellja e pjesëmarrësve të papërgjegjshëm në trafik.
“Pamë shoferë që, pa pikë turpi, filmonin dhe fotografonin drejtpërdrejt, ndërsa ekipet e shpëtimit po kujdeseshin për të lënduarit dhe po zhvillohej hetimi në vendngjarje. Përveçse është rreptësisht e ndaluar me ligj, kjo sjellje i kalon të gjithë kufijtë e dinjitetit themelor njerëzor. Mos harroni se pas çdo incidenti të tillë qëndron një dramë personale dhe familjare e dikujt”, publikoi me indinjatë njëri prej policëve në rrjetet sociale.
Gjobë prej 449 eurosh për secilin: policia ndëshkon “turistët e aksidenteve”
Autoritetet vendosën t’i japin fund kësaj sjelljeje të turpshme përmes sanksioneve më të rrepta të mundshme. Secilit prej 29 shoferëve të identifikuar iu shqiptua një gjobë prej 449 eurosh.
Ky incident shkaktoi edhe një kaos të madh në trafik. Për shkak të mbylljes së autostradës A58, u krijuan kolona kilometrike, ndërsa vonesat në trafik zgjatën më shumë se një orë e gjysmë. Shërbimet kompetente u detyruan ta devijonin të gjithë trafikun përmes autostradave A65 dhe A2, ndërsa segmenti u rihap vetëm rreth orës 18:00.
Mediat dhe opinioni publik në Holandë i dënuan ashpër këta të ashtuquajtur “turistë të aksidenteve”, duke rikujtuar se mbajtja e telefonit celular në dorë gjatë drejtimit të automjetit në Holandë nuk është vetëm e rrezikshme për jetën, por edhe një kundërvajtje e rëndë që ndëshkohet me gjobë të lartë.