Beteja për ish-krerët e UÇK-së vazhdon në Apel, 27 nëntori afati për kundërshtimin e aktgjykimit

Beteja juridike për katër ish-krerët e UÇK-së nuk përfundoi me aktgjykimin e 16 shtatorit.

Tani, palët kanë hyrë në fazën e përgatitjes së apelimeve, ndërsa 27 nëntori është data kur duhet të tregojnë nëse do ta kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë.

Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se cilat çështje mund të shqyrtohen në shkallën e dytë dhe cilët janë hapat e radhës në këtë proces.

Kanë kaluar më shumë se tri javë nga shpallja e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa po afrohet afati për njoftimin e apelimit.

Fillimisht, palët duhej të njoftonin deri në mes të tetorit nëse do ta apelonin aktgjykimin. Por, me kërkesë të Mbrojtjes, Paneli i Apelit e shtyu këtë afat deri më 27 nëntor.

Kërkesa për shtyrje u arsyetua me kompleksitetin e çështjes, si dhe me faktin se ekipet e Mbrojtjes nuk e kishin pranuar ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe.

Nga Dhomat e Specializuara kanë thënë për RTK-në se, deri tani, nuk ka asnjë parashtresë publike që tregon se ndonjëra nga palët ka dorëzuar njoftimin për apelim apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon t’i kundërshtojë në shkallën e dytë.

Sipas Speciales, procedura formale e apelit nis me dorëzimin e njoftimit për apelim.

‘Paneli i Apelit mund të shqyrtojë apelimet mbi baza të ndryshme, përfshirë gabimet e pretenduara në ligj, në fakte ose në caktimin e dënimit. Gjatë procedurës së apelimit, palët mund të kërkojnë paraqitjen e provave shtesë, duke specifikuar gjetjen faktike të Trupit Gjykues me të cilën lidhen ato prova. Apeli mund ta vërtetojë, rrëzojë ose ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Në rrethana të përshtatshme, mund të urdhërojë edhe rigjykimin e çështjes nga Trupi Gjykues”.

Në rast se apelohet vetëm dënimi, sipas gjykatës, afatet deri në vendim mund të jenë më të shkurtra.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo