Pas mbylljes me sukses të fazës zgjedhore në të gjitha nëndegët, dega e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë mbajti sot kuvendin zgjedhor, ku kuvendarët e pranishëm, njëzëri, e zgjodhën Valdrin Islami për kryetar të degës.
Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarit, u formua edhe kryesia e re e degës, e cila do të bartë barrën kryesore për arritjen e synimeve strategjike të partisë dhe për ngritjen e mëtejshme të degës në çdo nivel organizativ.
Zgjedhjet u zhvilluan në një ambient demokratik, me pjesëmarrje të madhe të anëtarësisë dhe të aktivistëve. Kuvendin me praninë e tij e nderoi edhe vetë kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, i shoqëruar nga përfaqësues të lartë partiakë.
Në fjalimin e tij, përveç analizës së përgjithshme të gjendjes politike në vend, ai theksoi se organizimi i fortë dhe strukturat e konsoliduara përbëjnë bazën e suksesit politik, duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve që të japin kontributin e tyre me përkushtim, përgjegjësi dhe angazhim të pandërprerë në punën e Aleancës për Shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët mbetet e vendosur ta zgjerojë praninë e saj organizative përmes strukturave të mirëorganizuara, dinamike dhe të ndërlidhura ngushtë me nevojat e qytetarëve në çdo vendbanim.