‘Alarm’ në Angli, futbolli anglez shumë afër kolapsit

Alarm në Angli pas një raporti shqetësues nga IFR (Rregullatori i Pavarur i Futbollit), i cili zbulon se 94 për qind e klubeve të vendit po operojnë me humbje financiare, ndërsa të paktën një e treta e klubeve që garojnë në EFL dhe National League janë të paafta për të shlyer detyrimet e tyre financiare.

Raporti, i publikuar nga “Daily Mail”, thekson se këto klube janë “në prag të katastrofës financiare” dhe se nevojiten “reforma urgjente”.

Arsyeja kryesore për këto probleme me rrjedhën e parasë është përpjekja për të ruajtur konkurrueshmërinë sportive përmes rritjes së vazhdueshme të pagave të futbollistëve.

Kjo ka krijuar “një kombinim të rrezikshëm të borxheve në rritje dhe varësisë së tepruar nga financimi prej pronarëve, duke vënë në rrezik klubet dhe tifozët e tyre”, thuhet në raport.

Raporti vë në dukje gjithashtu hendekun e madh financiar mes Premierligës dhe ligave të tjera.

Për ta ilustruar këtë, një klub i elitës angleze gjeneron mesatarisht tetë herë më shumë të ardhura sesa një klub i Championshipit.

Një tjetër faktor është ndihma financiare që marrin klubet e rrëzuara nga Premierliga, e cila i detyron skuadrat e tjera të ndërmarrin rreziqe të mëdha financiare për të konkurruar pothuajse në të njëjtat kushte.

Raporti thekson se problemet nuk shkaktohen vetëm nga pagat e futbollistëve. Rritja e kostove operative nënkupton se 17 klube të EFL-së dhe National League do të regjistronin humbje financiare edhe nëse nuk do të duhej të paguanin lojtarët e tyre.

Më shumë se 60 për qind e klubeve të EFL-së dhe National League janë “teknikisht të paafta për të shlyer detyrimet financiare”, ndërsa më shumë se një e katërta e klubeve nuk do të mund të mbijetonin për më shumë se një muaj nëse pronarët e tyre do të ndërprisnin financimin.

Sipas studimit, gjatë sezonit 2025/26 u gjeneruan më shumë se 9 miliardë paund të ardhura.

Prej tyre:

7.5 miliardë paund nga Premierliga;

1 miliard paund nga Championshipi;

460 milionë paund nga League One dhe League Two;

70 milionë paund nga National League.

Për të kuptuar se si ka evoluar ky hendek, në vitin 1992 të ardhurat mesatare të klubeve të Premierligës ishin 2.7 herë më të larta se ato të skuadrave të Championshipit. Sot, kjo diferencë ka arritur në 8.7 herë.

Sa u përket pagave, nga sezoni 2021/22 deri në sezonin 2025/26, ato janë rritur me 33 për qind në Premierligë, 32 për qind në Championship, 71 për qind në League One dhe 63 për qind në League Two.

Edhe humbjet financiare janë rritur ndjeshëm në të gjitha nivelet e futbollit anglez.

Në Premierligë, humbjet janë rritur nga 20 milionë paund në sezonin 2021/22 në 44 milionë paund në sezonin 2025/26.

Në Championship, ato janë rritur nga 13 milionë paund në sezonin 2024/25 në 22 milionë paund në sezonin 2025/26.

Në League One, humbjet janë trefishuar brenda pesë sezoneve, nga 2.4 milionë në 7.5 milionë paund, ndërsa në League Two janë katërfishuar, nga 600 mijë në 2.7 milionë paund.

Në përgjithësi, borxhi i klubeve është rritur nga 2.8 miliardë paund në sezonin 2020/21 në 4.1 miliardë paund në sezonin 2024/25. Për vitin aktual financiar, ai parashikohet të arrijë në 5.1 miliardë paund.

Klubet e Premierligës përbëjnë 75 për qind të borxhit të përgjithshëm.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo