Shasivari: Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet, por gjykata. Çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet!

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i ka dërguar një porosi autoriteteve dhr faktorit politik e institucional në Kosovë në prag të vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Po ju përcjellim shkrimin e plotë të ministrit Shasivari:
MESAZH PËR KOSOVËN: DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE
Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.
Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës.
Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.
Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë.
Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.
Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë.
Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë:
Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.
Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi.
Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Ky është standardi evropian.