
Qeveria, në seancën e sotme, solli Vendim për uljen e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim zbutjen e drejtpërdrejtë të goditjes së çmimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë, në kushtet e gjendjes së krizës për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës.
Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, ulja e TVSH-së nga 18% në 10% do të zbusë ndjeshëm rritjen e pritshme të çmimeve të karburanteve.
Te nafta, në vend të rritjes së pritshme të rregullt prej rreth 5 denarësh, me këtë masë pritet ulje prej rreth 2 denarësh. Kjo nënkupton zbutje të përgjithshme të goditjes së çmimeve prej rreth 7 denarësh, ndërsa çmimi i ri pritet të jetë rreth 99 denarë për litër.
Te benzinat, sipas përllogaritjeve, pritet rritje prej rreth 3,5 denarësh, që do të thotë se çmimi i ri pritet të jetë rreth 100,5 denarë për litër për benzinën EUROSUPER BS-95, përkatësisht 102,5 denarë për litër për benzinën EUROSUPER BS-98.
Norma preferenciale e TVSH-së prej 10% do të zbatohet nga ora 00:01 e 15 shtatorit 2026 deri në orën 24:00 të 28 shtatorit 2026.
Me këtë vendim, Qeveria ndërmerr një masë konkrete dhe në kohë për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, uljen e barrës financiare dhe mbështetjen e ekonomisë në kushtet e gjendjes së krizës.
Qeveria vijon të ndjekë me vëmendje situatën në tregun e derivateve të naftës dhe të marrë masa në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.