Alarm pranë kufirit me Poloninë, droni rus godet trenin pas atij ku udhëtonte ish-kryeministri britanik Boris Johnson, evakuohen 206 persona
Një linjë hekurudhore në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë, është goditur nga një dron rus, ndërsa në zonë ndodhej edhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson, së bashku me zyrtarë të tjerë evropianë.
Johnson po kthehej nga një konferencë sigurie në Kiev, kur rreth orës 05:00 të mëngjesit të së dielës, truprojat e tij e njoftuan që të përgatitej për evakuimin e trenit.
Alarmi u dha pasi një tren tjetër pasagjerësh, që ndodhej pas trenit me të cilin udhëtonte Johnson, u godit në Volyn, pak më shumë se një milje nga kufiri me Poloninë, raporton “Telegraph”.
Pak më vonë, autoritetet konstatuan se nuk kishte më dronë të tjerë në zonë dhe treni ku udhëtonte Johnson u lejua të vijonte udhëtimin.
Sipas “Telegraph”, Boris Johnson nuk ka pësuar lëndime. Në të njëjtin tren privat udhëtonte edhe ish-kryeministri suedez Carl Bildt, së bashku me diplomatë të tjerë evropianë. Bildt tha se u ishte bërë me dije se treni që ndodhej menjëherë pas tyre ishte goditur nga një dron rus.
“Treni ynë nuk u godit, por ai që ishte disa minuta pas nesh, pranë pikës së kalimit kufitar me Poloninë”, tha Bildt. “U evakuua ndërsa droni (rus) po afrohej dhe askush nuk u plagos”, shtoi ai.
Autoritetet ukrainase deklaruan se treni që u godit transportonte 206 persona, të cilët u panë duke vrapuar të alarmuar pas sulmit. Sipas tyre, nuk pati viktima.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale duket se tregojnë kamionë në flakë pranë vendit të sulmit, ndërsa mediat ukrainase raportuan se është goditur edhe një pikë karburanti.
Sulmi ndodhi rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë, sipas zyrtarëve të hekurudhave ukrainase, duke ngritur shqetësime për sulmet ruse që po afrohen gjithnjë e më shumë me territorin e NATO-s.
Boris Johnson ndodhej në Ukrainë së bashku me këshilltarë dhe përfaqësues nga vende të tjera evropiane, për takimin e vitit 2026 të “European Strategy of Yalta”, një konferencë e sigurisë ku zyrtarë perëndimorë diskutuan me qeverinë e Volodymyr Zelenskyt për mundësinë e nisjes së negociatave të paqes me Rusinë.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Günter Sauter, një prej këshilltarëve më të afërt të kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili gjithashtu udhëtonte në tren pas përfundimit të konferencës.
Konferenca u zhvillua në një strehë të një hoteli në Kiev. Në tren ndodhej edhe Robin Wagener, deputet i Partisë së Gjelbër në parlamentin gjerman, i cili foli për tronditjen pas sulmeve.
“Këto sulme me dronë janë terror i verbër ndaj civilëve ukrainas dhe një përshkallëzim i rrezikshëm i luftës së Putinit”, deklaroi Wagener për “Der Spiegel”.