Mickoski: PBB-ja rritet me 4,3%, Maqedonia ecën përpara, opozita le të vazhdojë të vajtojë dhe të ankohet

“Në tremujorin e dytë kemi një aktivitet ekonomik jashtëzakonisht të lartë dhe rritje të PBB-së prej 4,3%. Ky është edhe një lajm i keq për opozitën, e cila, supozoj, tani po ankohet dhe po vajton pse Maqedonia po ecën përpara dhe nuk është zhytur në kënetën e tyre politike të gënjeshtrave, shpifjeve, trillimeve dhe konstrukteve”, tha kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske.

Mickoski theksoi se Maqedonia do të vazhdojë të ecë përpara, ndërsa po punohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve të trashëguara nga qeveria e mëparshme.

“Maqedonia do të vazhdojë të ecë përpara. Nuk është e lehtë dhe jo të gjitha problemet janë zgjidhur, sepse shumë prej tyre janë të trashëguara. Ajo që është e rëndësishme është se po punojmë dhe po përpiqemi të zgjidhim gjithçka që kemi trashëguar dhe të mos krijojmë probleme të reja.

Rezultatet pas 25-26 muajsh, ja, më në fund po dalin në pah. Kemi rritje të prodhimit industrial dhe inflacion të stabilizuar. Kjo rritje prej 4,3%, kur i shtohet rritjes prej 3,1% në tremujorin e parë, jep rritje prej 3,7% në gjysmën e parë të këtij viti, që është një nga normat më të larta në Evropë.

Tani përsëri i ftoj ata në rrjetet sociale të fillojnë të më përqeshin, por unë do të qëndroj në qëndrimin tim se kjo është një nga katër normat më të larta të rritjes së PBB-së, si në gjysmën e parë të vitit, ashtu edhe në tremujorin e dytë, veçanërisht duke pasur parasysh se në të njëjtin tremujor të vitit 2025 kemi pasur rritje prej 3,5%.

Për shembull, Sllovenia ka rritje prej 4,8% në tremujorin e dytë të vitit 2026, por në tremujorin e dytë të vitit 2025 kishte rritje prej vetëm 0,7%. Para nesh janë Malta dhe Danimarka.

Ja, edhe një herë i ftoj “bot’s-at” e opozitës, me kënetat e tyre politike, të vazhdojnë të xhirojnë reels dhe të më përqeshin. Por këto janë faktet, më vjen keq. Faktet nuk mund t’i mohojnë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë. Vitin 2024 e përfunduam me rritje të PBB-së prej 3%, me çka u renditëm në gjysmën e parë të vendeve të Evropës. Vitin 2025 me rritje prej 3,5%. Tani, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, kemi rritje prej 3,7%.

Pra, kemi një rritje të vazhdueshme, në kushtet kur partneri ynë më i madh tregtar, që janë Bashkimi Evropian dhe vendet e eurozonës, në tërësi kanë rritje prej 1,2%, ndërsa eurozona në tërësi ka rritje prej 1%.

Nëse e shikoni rritjen e PBB-së në periudhën 2006-2008, atëherë kemi pasur rritje prej 5 deri në 6%, por në atë kohë edhe eurozona dhe Bashkimi Evropian po rriteshin me një normë të ngjashme ose edhe më të lartë.

Kështu që, kjo në vetvete flet për politikat e kësaj Qeverie dhe përbën edhe një lajm të keq për opozitën në Maqedoni”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo