Mickoski: E trashëguam shtetin të gjunjëzuar dhe të plaçkitur, sot Maqedonia është vend më i mirë për të jetuar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se Qeveria e tij, gjatë 26 muajve të fundit, është përballur me institucione të rrënuara, ekonomi të dëmtuar dhe një shtet që, sipas tij, ishte “i plaçkitur dhe i gjunjëzuar”.

Mickoski tha se Qeveria ka vazhduar dhe përfunduar projekte infrastrukturore të nisura më herët, ndërsa ka paralajmëruar edhe projekte të reja në autostrada, rrugë të shpejta dhe hekurudha.

“Përfunduam projekte që ishin nisur dhe më pas ishin harruar, ndërtuam rrugë të shpejta dhe segmente hekurudhore, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë rrugë të shpejta dhe segmente të reja hekurudhore”, tha Mickoski.

Ai kritikoi ashpër qeverisjen e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, duke e akuzuar atë për keqmenaxhim të institucioneve, sistemit shëndetësor dhe ekonomisë.

Sipas Mickoskit, një nga projektet kryesore të Qeverisë ka qenë decentralizimi i mjeteve nga buxheti qendror drejt komunave. Ai tha se përmes këtij procesi janë siguruar rreth 500 milionë euro për projekte kapitale në komunat e vendit.

Duke folur për projektet në fushën e mjedisit, kryeministri përmendi edhe pajisjen e komunave me makineri dhe mjete të reja për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa paralajmëroi se së shpejti komunave do t’u dorëzohen edhe autobusë elektrikë për transport publik urban.

“Nga një shtet i gjunjëzuar, i plaçkitur dhe i rrënuar, sot, pas tre vitesh, mund të themi se Maqedonia është një vend më i mirë për të jetuar sesa ishte para tre vitesh”, deklaroi Mickoski.

Ai premtoi se Qeveria do të vazhdojë me realizimin e projekteve të premtuara, duke pranuar se, sipas tij, “nuk është ideale” dhe se qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësi.

Në fund, Mickoski tha se është i bindur se në tre vitet e ardhshme vendi do të jetë “edhe më i mirë për të jetuar” dhe falënderoi ministrat, kryetarët e komunave, deputetët, Bankën Botërore dhe mediat për mbështetjen e projekteve të Qeverisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo