Aliu: Arsimi nuk përmirësohet duke ironizuar hafiza, por duke u marrë me problemet reale të arsimit

Arsimi nuk përmirësohet duke ironizuar hafiza, por duke u marrë me problemet reale të arsimit.

Bashkim Aliu

Reziltatet e Pisa-s që i nxjerrin keq nxënësit shqiptarë për nga rezultatet si në Kosovë, ashtu edhe
në Maqedoninë e Veriut, hap debate të shumta si nga ana e ekspertëve të fushës, ashtu edhe nga
ana e faktorëve të tjerë në shoqëri, të cilët nga perspektiva të ndryshme diskutojnë për këtë
problem që po e ndjek arsimin në trojet shqiptare për një kohë relativisht të gjatë. Debatet
konstruktive nga ekspertë të fushave përkatëse dhe grupe tjera të interest në fushën e arsimit,
janë të mirëseardhura. Mirëpo, në këto debate dhe diskutime në opinion në përgjithësi, has edhe
deklarata të pa përgjegjshme, të cilat jo vetëm që nuk ndihmojnë gjë në këtë fushë dhe nuk kanë
asnjë prurje të re, por janë edhe irrituese, ngase prekin identitetin fetar të një bashkësie, që është
çështje mjaft e ndieshme, dhe flasin se pas tyre fshihen qëllime jo të ndershme. I kësaj natyre
është edhe komenti i një gazetari kosovar, gjegjësisht Berat Buzhalës, i cili nuk e ka herën e parë
që ia huq keq me komente paushalle. Në lidhje me rezultatet e Pisa-s, ai komenton si vijon:
“Mirë s’kena dalë në testin e Pisa-s, ama sivjet i kena dy hafiza ma tepër. Një në Opoje e nja në
Mitrovicë. Tash s’po mujme me çky n’tana anët”.

Stereotipizimi fetar – muhabet i papërgjegjshëm
Kjo mënyrë e të shprehurit është problematike jo vetëm për shkak të tonit, por edhe për shkak të
mesazhit që përcjell. Të përmendësh “hafizat” si shpjegim apo aludim për rezultatet e PISA-s,
duke i vendosur ata me ironi në kundërvënie me arsimin dhe suksesin e nxënësve, është një
formë e qartë e stereotipizimit fetar. Hafizët janë njerëz që kanë mësuar përmendësh Kuranin në
mësonjtore jashtë sistemit të arsimit publik, dhe kjo nuk është tregues për cilësinë e arsimit, e aq
më pak shpjegim për rezultatet e një sistemi të tërë arsimor.
Problemi edhe më i madh është se një deklaratë e tillë e zhvendos debatin nga problemet reale:
cilësia e mësimdhënies, tekstet shkollore, përgatitja dhe motivimi i mësimdhënësve,
infrastruktura, politikat arsimore, pabarazitë sociale dhe investimet në arsim, në çështje fetare pa
asnjë nevojë reale, pos talljes dhe ironizimit me diçka që për muslimanët është shumë e çmuar:
hifzin-mësimin përmendsh të librit të shenjtë-Kur’anit. Kur dështimet e një sistemi kërkohen te
identiteti fetar i njerëzve, nuk kemi më debat serioz për arsimin, por kemi paragjykim ndaj një
komuniteti fetar të normalizuar përmes një shakaje apo një insinuate.

Kush don të flet seriozisht për PISA-n, le të flet për politikat dhe përgjegjësitë që prodhojnë
rezultate të dobët, e ko ta kritikoj fenë, duke i përdor për këtë njerëzit si karikatura të një
problemi që nuk e kanë shkaktuar. PISA nuk mat sa hafiza ka një vend. PISA mat aftësitë e
nxënësve në lexim, matematikë dhe shkenca. Prandaj, përpjekja për t’i lidhur rezultatet e PISA-s
me numrin e hafizave në Opojë apo në Mitrovicë nuk është analizë e arsimit — është
stereotipizim fetar.

Të kërkohet problem real, jo të ironizohet
Deklaratat dhe komentet e këtilla të pa përgjegjshme, në vend që të shtrojnë pyetje pse nxënësit
tanë kanë rezultate të dobëta në PISA, pse kanë vështirësi në lexim me kuptim, në zgjidhjen e
problemeve dhe në mendimin kritik, e zhvendosin debatin te identiteti fetar i disa njerëzve. Kjo
nuk na afron asnjë centimetër me problemin real. Nëse dikush dëshiron ta kritikojë arsimin
kosovar përmes PISA-s, le të flasë për kurrikulën, cilësinë e mësimdhënies, përgatitjen e
mësuesve, politikat arsimore, kushtet në shkolla, pabarazitë mes nxënësve dhe mungesën e
investimeve. Këto janë çështje që mund të analizohen dhe të maten.
Por kur “hafizat” përdoren si batutë për të shpjeguar një dështim të mundshëm në PISA, kemi një
problem tjetër: paragjykime, bile edhe islamofobi ndaj një grupi fetar, të kamufluar si humor.
Dhe kjo është pikërisht ikja nga problemi real.
PISA nuk po na pyet sa hafiza kemi. Po na tregon sa mirë po i përgatit sistemi ynë arsimor
fëmijët për të lexuar, menduar, analizuar dhe zgjidhur probleme. Nëse rezultatet janë të dobëta,
përgjegjësinë duhet ta kërkojmë te sistemi arsimor dhe te politikat që e kanë ndërtuar atë — jo te
besimi fetar i qytetarëve.
Në vend të ironizimit dhe talljes me njerëz që e përdorin mendjen që ua ka falur Zoti për të
mësuar, le të përfitohet nga metodat e mësimdhënësve të tyre, të cilët kanë arritur t’i udhëheqin
hafizat me vite derisa e kanë mësuar Kur’anin përmendsh. Kjo kërkon angazhim, zell, dije,
urtësi, durim, po edhe aplikim të metodave adekuate për stimulimin e tyre për të vazhduar në
këtë kurs. Besoj se do të përfitohej shumë nëse konsultoheshin mësuesit e hafizave, dhe
përfitohej prej përvojës së tyre. Ironia nuk sjell kurgjë të re, pos e nxjerr në shesh
papërgjegjshmërinë e disa njerëzve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo