Më shumë nxënës, por një paralele shqipe më pak në Gjimnazin “28 Nëntori” në Dibër. Pse?
Shifrat janë të qarta:
2025/2026: 102 nxënës shqiptarë – 5 paralele
2026/2027: 106 nxënës shqiptarë – 4 paralele
Pra, këtë vit kemi 4 nxënës më shumë, por një paralele më pak në gjuhën shqipe.
Kjo situatë ngre shqetësim serioz. Me një paralele më pak, klasat ekzistuese mbingarkohen, ndërsa profesorët rrezikojnë të humbin normat mësimore dhe, si pasojë, edhe vendet e tyre të punës.
I bëjmë thirrje publike udhëheqësisë së Gjimnazit “28 Nëntori” Dibër dhe Kryetarit të Komunës që të veprojnë dhe të shfrytëzojnë mekanizmat që parashikon Ligji për arsimin e mesëm, konkretisht Neni 28, alinetë 2 dhe 3.
Sipas këtyre dispozitave, lejohet formimi i paraleleve edhe me më pak se 25 nxënës, me pëlqim paraprak nga Këshilli Komunal dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Kjo do të thotë se pushteti lokal dhe udhëheqësia e Gjimnazit e kanë mundësinë ligjore të kërkojnë pëlqimin e nevojshëm dhe të mbrojnë paralelet në gjuhën shqipe.
Arsimi i fëmijëve tanë dhe vendet e punës së profesorëve dibranë nuk duhet të rrezikohen kur ligji ofron mekanizma për zgjidhje.
Presim veprim dhe përgjegjësi institucionale.