Vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë Evropën këtë verë pritet të ketë pasoja të ndjeshme edhe në ekonominë e Bashkimit Evropian.
Sipas një analize të publikuar nga banka Triodos, dëmet e shkaktuara nga temperaturat ekstreme dhe zjarret masive mund t’i kushtojnë BE-së rreth 180 miliardë euro gjatë vitit 2026, apo afërsisht 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe pse ekonomia e bllokut pritet të rritet me rreth 1.1 për qind këtë vit, dëmet nga moti ekstrem mund ta zbehin ndjeshëm këtë rritje.
Sipas analizës, humbjet ekonomike lidhen me disa sektorë. Korrjet më të dobëta, rënia e prodhimit të qumështit dhe rritja e çmimeve të ushqimeve llogaritet të ndikojnë me rreth 0.15 për qind të GDP-së.
Kufizimet në prodhimin e energjisë bërthamore, hidrike dhe termale, si dhe rritja e çmimeve të energjisë, pritet të shkaktojnë humbje prej rreth 0.27 për qind.
Ndërprerjet në transportin hekurudhor, rrugor dhe detar përbëjnë një tjetër goditje për ekonominë, ndërsa ndikimi më i madh lidhet me rënien e produktivitetit të punëtorëve gjatë temperaturave të larta.
Franca rezulton vendi më i prekur, me një humbje të vlerësuar prej rreth 1.4 pikësh përqindjeje të rritjes ekonomike, çka mund ta çojë ekonominë franceze në tkurrje.