Thaçi: Pres të shpallem i pafajshëm

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktgjykimi për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të shpallet më 16 shtator.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtoj argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për “RTV Dukagjini”.

I pyetur nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi është përgjigjur negativisht, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka thënë ai.

Thaçi ka kritikuar gjithashtu narrativën mbi të cilën, sipas tij, është ndërtuar aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai ka deklaruar se pretendimet shtrihen që nga vitet ’80 deri në dhjetor të vitit 2000, ndërsa ka përmendur edhe raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty.

Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta, atë kohë isha 11-12 vjeç, të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serbë dhe rusë në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Thaçi.

Ish-presidenti ka thënë gjithashtu se vendimi i Dhomave të Specializuara mund të ndikojë edhe në të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare.

Inkriminim për ndërkombëtarët nuk do të ketë. Por a do të ketë ndikim në ecurinë e drejtësisë ndërkombëtare? Sigurisht që do të ketë, dhe atë jo pak”, ka thënë Thaçi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo