Historia e Lotarisë Shtetërore dhe e lojërave të fatit, nga viti 2007 deri në vitin 2025, tregon një proces shumëvjeçar, me ndryshime ligjore, vendime qeveritare, partneritete publike-private dhe vendimmarrje institucionale. Pra, kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një person apo me një mandat politik.
Pikërisht për këtë arsye, rasti i Artan Grubit duhet të trajtohet me prova dhe me ligj, jo me inate politikerasti i Artan Grubit duhet të trajtohet me prova dhe me ligj, jo me inate politike.
Nëse, siç pretendohet, për gjashtë muaj në paraburgim shtëpiak nuk është paraqitur një bazë konkrete ligjore që të dëshmojë përgjegjësi penale personale, ndërkohë që vendimet e Qeverisë janë vendime kolektive dhe ekspertiza e kryer në këtë çështje nuk ka konstatuar shkelje të procedurës, atëherë lind një pyetje shumë serioze:
A kemi të bëjmë me një proces juridik apo me një proces politik?
Sepse përgjegjësia penale nuk mund të ndërtohet mbi logjikën: “ishte në Qeveri, prandaj duhet të përgjigjet për çdo vendim të marrë nga Qeveria.” Në një shtet të së drejtës duhet të provohet veprimi konkret, shkelja konkrete dhe përgjegjësia konkrete e personit konkret.
Nëse ekzistojnë prova për një vepër penale, le të paraqiten para gjykatës dhe ligji të zbatohet. Por nëse provat mungojnë, ndërsa një njeri mbahet për muaj të tërë nën masa kufizuese dhe gjykohet paraprakisht në opinion, atëherë nuk kemi më vetëm një çështje individuale.
Kemi problem me mënyrën se si funksionon drejtësia.
Sot mund të jetë Artan Grubi. Nesër mund të jetë dikush tjetër.
Nuk duhet të lejojmë që inatet personale, hakmarrjet politike apo luftërat partiake të prodhojnë procese gjyqësore. Gjykata nuk duhet të jetë vendi ku zgjidhen hesapet politike, ndërsa prokuroria nuk duhet të shndërrohet në instrument për eliminimin e kundërshtarëve.
Sepse kur vendimi politik paraprin provën juridike, kur linçimi publik paraprin gjykimin dhe kur fajësia shpallet para se të merret vendimi i formës së prerë, atëherë nuk po ndërtojmë drejtësi — po ndërtojmë precedent për anarki institucionale.
Prandaj kërkesa është e thjeshtë:
Hetim po. Drejtësi po. Përgjegjësi po — nëse ka prova.
Por gjykim politik, hakmarrje dhe linçim — JO!
Artan Grubi duhet të gjykohet vetëm nga provat dhe ligji, jo nga inatet e askujt.
Sepse një shtet i së drejtës nuk matet me mënyrën se si sillet me njerëzit që i do pushteti, por me mënyrën se si i trajton edhe ata që pushteti nuk i do.
