Nuk është çështje hartash, por demokracie: pse reforma territoriale duhet të nisë nga qytetari

Adri Nurellari

Kur flitet për reformën territoriale në Shqipëri, debati publik zakonisht katandiset në një ushtrim të ftohtë matematikor, në një llogaritje tabelash Excel-i dhe në një përleshje numrash ku pyetja e vetme që shtrohet është se sa bashki do të kemi kush fiton më shumë vota e punësime nga ndarja e re, e majta apo e djathta? Vetë fokusimi tek dimensioni “territoriale” është në thelb dëshmia më e qartë dhe më cinike se nuk kemi të dohemi me ndonjë akt decentralizimi apo fuqizimi të qytetarit, por me një qasje që ngjan frikshëm me atë të kohës së sulltanit, ku pushteti qendror vizaton sipas qejfit vilajete e sanxhake, duke e trajtuar vendin dhe njerëzit si pronë personale që mund të ndahet, copëtohet apo shkrihet me një të rënë të lapsit nga lart. Kjo qasje burokratike dhe e shkëputur nga realiteti anashkalon në mënyrë sistemike pyetjen më thelbësore që do të duhej të udhëhiqte çdo proces të mirëfilltë demokratik evropian të decentralizimit: si e bëjmë qytetarin zot të pushtetit që ndikon drejtpërdrejt jetën e tij të përditshme?

Për më tepër, është kulmi i paturpsisë dhe i cinizmit institucional të shikosh se si dështimi spektakolar i reformës territoriale të vitit 2014 kalohet sot në heshtje, pa asnjë reflektim diagnostikues për mangësitë; pa asnjë gram pendese për gabimet, pa asnjë lloj llogaridhënieje dhe pa asnjë kërkim falje publike për plagët që u hapën në komunitete, duke u sjellë sikur eksperimentet e dështuara mbi kurrizin e qytetarëve mund të përsëriten pafundësisht me të njëjtën arrogancë. Prandaj problemi kryesor me këtë reformë, është pikërisht qasja nga lartë poshtë e traditës despotike lindore, në vend që të adoptonte parimin demokratik nga poshtë lartë . Nuk është rastësi që Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore kërkon konsultimin dhe mirëkuptimin paraprak të komuniteteve përpara ndryshimeve territoriale, sepse legjitimiteti demokratik nuk buron nga një vendim qeverie, por nga pranimi i qytetarëve që preken prej tij.
Mirëpo thelbi nuk është nëse një bashki është e madhe apo e vogël, nëse janë shumë bashki apo pak. Problemi është nëse qytetari mbetet në qendër të organizimit të shtetit dhe nëse reformat bëhen si një strukturë rreth qytetarit, duke iu përshtatur nevojave, të drejtave dhe kapaciteteve të tij. Një reformë që nis nga logjika e kontrollit, kursimit ose komoditetit administrativ të qendrës dhe jo nga e drejta e qytetarëve për vetëqeverisje, bie ndesh me frymën e demokracisë vendore evropiane. Demokracia nuk kërkon uniformitet institucional. Ka komunitete malore, zona rurale, qytete historike dhe metropole që kanë nevoja krejt të ndryshme. Reforma nuk duhet t’i uniformizojë, por t’u japë zgjidhje të ndryshme sipas karakteristikave të tyre. Thënë ndryshe, një demokraci moderne nuk synon t’i bëjë të gjitha komunitetet njësoj, por të respektojë larminë e tyre historike, ekonomike, kulturore dhe gjeografike, duke ndërtuar institucione që u përshtaten dallimeve dhe jo duke i fshirë ato.
Këtu duhet sqaruar se qëllimi i pushtetit vendor nuk është administrimi i territorit. Qëllimi i tij është kufizimi i pushtetit qendror. Vetëqeverisja vendore nuk u shpik sepse bashkitë administrojnë më mirë rrugët apo plehrat, por sepse demokracia ka nevojë për qendra të shpërndara pushteti që kontrollojnë njëra-tjetrën. Një shtet demokratik nuk sillet si prind që vendos në vend të qytetarëve, por si garant i së drejtës së tyre për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të përcaktuar vetë mënyrën si duan të qeverisen pranë shtëpisë së tyre. Prandaj, një reformë territoriale e standardeve evropiane është e justifikuar vetëm nëse provon se sjell më shumë demokraci vendore, më shumë autonomi lokale, shërbime më cilësore dhe një marrëdhënie më të afërt mes qytetarit dhe institucioneve. Nëse ajo kufizohet vetëm në zvogëlimin e numrit të bashkive, largon institucionet nga komunitetet, centralizon vendimmarrjen ose riorganizon hartën sipas nevojave administrative të qendrës pa dëgjuar qytetarët, atëherë bie ndesh me frymën e decentralizimit evropian
Institucionet lokale funksionale janë në thelb mburojë e fortë e shoqërisë kundër përqendrimit totalitar të pushtetit. Sa më shumë pushtet t’i hiqet qendrës dhe t’i jepet komuniteteve lokale, aq më e shëndetshme bëhet demokracia. Megjithatë, praktika e deritanishme e qeverisë socialiste tregon krejt të kundërtën. Një nga dëshmitë kryesore të tendencës centralizuese ishte largimi i planifikimit të ndërtimit dhe i kompetencave urbane nga duart e bashkive për t’i përqendruar ato arbitrarisht në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT). Mënyra se si grantet, fondet dhe investimet e qeverisë qendrore nuk ndahen mbi bazën e nevojave reale apo kritereve transparente, por përdoren si mjet shpërblimi për bashkitë e oborrit dhe si instrument ndëshkimi për ato që nuk i përkasin mazhorancës, duke shkelur parimin e barazisë së qytetarëve përpara shtetit. Po ashtu, akoma më rëndë urdhrat e kryeministrit për të shkarkuar drejtorët vendorë sikur bashkitë të mos ishin institucione të zgjedhura, por komitete ekzekutive të kohës së komunizmit që zbatojnë verbërisht direktivat e partisë-shtet, përbëjnë dëshminë më kokëfortë të tendencës së rrezikshme për të përqendruar çdo fije pushteti në një dorë të vetme.
Për të kuptuar se pse kjo reformë nuk është thjesht çështje votash, metrash katrorë apo kufijsh gjeografikë, mjafton të shohim se si qeverisja vendore deri më sot është zhveshur nga kompetencat mbi shërbimet më jetike që prekin drejtpërdrejt qytetarin. Një bashki e vërtetë evropiane do të duhej të kishte nën kontrollin e saj të gjithë arsimin paruniversitar ( jo vetëm atë parashkollor sikurse ndodh tek ne) dhe shëndetësinë parësore në mënyrë që njerëzit të kishin mundësi të kërkonin llogari direkt aty ku jetojnë. Mirëpo në realitetin shqiptar, bashkia është reduktuar në një noter administrative që nuk ka ndikim te shërbimet themelore të qytetarit, ndërkohë që vetë struktura e shtetit e ka kthyer jetën e përditshme të njerëzve në një lojë të pafundme ping-pongu burokratik. Mjafton të shohësh se si funksionojnë sot në terren institucionet qendrore shtetërore për qytetarin. Gjykata e shkallës së parë është në një qytet, gjykata e apelit është përqendruar e gjitha në Tiranë, ndërsa hipoteka dhe shërbimet e pronave janë shpërndarë në qytete të tjera, duke e detyruar njeriun e thjeshtë të bëjë udhëtime të mundimshme dhe të humbasë kohë e para për një formalitet të vetëm.
Prandaj, sipas standardeve evropiane, organizimi territorial duhet të nisë nga qytetari, jo nga nevojat administrative të qendrës dhe në këtë proces parimi thelbësor do duhej të ishte subsidiariteti. Ky nocion nënkupton pushteti duhet të ushtrohet në nivelin më të afërt të mundshëm me qytetarin, sepse qytetari nuk është thjesht përfitues i shërbimeve, por subjekt politik me të drejtë përfaqësimi dhe pjesëmarrjeje. Kjo do të thotë që njësia territoriale-administrative nuk ekziston për t’ia bërë më të lehtë qeverisë administrimin e hartës, por për t’i bërë më të lehtë qytetarit aksesin te shteti. Po ashtu duhet theksuar se afërsia demokratike përmban vlerë në vetvete. Pra edhe nëse një strukturë më e madhe do të ishte më e lirë apo më efikase, ajo nuk mund të justifikojë automatikisht largimin e vendimmarrjes nga qytetari.
Këtu duhet theksuar gjithashtu se komunitetet kanë të drejtë të njihen politikisht. Një komunitet nuk është thjesht numër banorësh që banojnë në një sasi hektarësh; por një bashkësi njerëzish me histori, identitet dhe interesa të përbashkëta që meritojnë përfaqësim institucional. Rrjedhimisht institucionet lokale duhet që pikësëpari të trajtohen si pjesë themelore të demokracisë e dhe jo vetëm si një sportel ku merren dokumente. Bashkia është hapësirë ku qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe ndikojnë mbi vendimet që prekin jetën e tyre. Kjo sepse në një demokraci liberale, territori nuk i përket administratës; administrata i shërben territorit dhe njerëzve që jetojnë aty.
Demokracia e vërtetë lokale kërkon një reformë që do të mundësonte futjen e instrumenteve të demokracisë direkte, që i japin fuqi qytetarit edhe midis zgjedhjeve. Referendumet lokale, nismat qytetare për vendimmarrje, peticionet me fuqi detyruese ligjore dhe konsultimet publike të detyrueshme nuk duhet të jenë thjesht dëshira në letër, por mjete aktive të jetës politike. Përtej votës periodike, çdo reformë e mirëfilltë demokratike duhet të institucionalizojë mekanizmin e “e revokimit të mandatit” ( recall-it) qytetar, e drejta e padiskutueshme e komunitetit për të shkarkuar para afatit çdo kryetar bashkie apo zyrtar vendor që tradhton besimin e marrë.

Një nga plagët më të rënda të sistemit tonë vendor është përqendrimi ekstrem i pushtetit në duart e një individi të vetëm; tek kryetarit të bashkisë. Kjo strukturë piramidale favorizon abuzimin dhe mbyll hapësirën për çdo zë kritik. Reforma do duhej ta balanconte këtë pushtet duke forcuar rolin e këshillit bashkiak, duke rritur kontrollin mbi buxhetin përmes komisioneve mbikëqyrëse të pavarura dhe duke vendosur standarde të rrepta transparence. Për më tepër, administrata lokale nuk mund të vazhdojë të jetë një makineri elektorale që fryhet e shfryhet sipas stinëve të zgjedhjeve dhe ku drejtorët shkarkohen e emërohen sipas tekeve partiake. Duhet të krijohet një shërbim civil vendor i mirëfilltë, i bazuar në meritokraci, konkurse të hapura, mbrojtje nga spastrimet politike dhe vlerësime të rregullta performance.

Para se shteti të ndryshojë hartën territoriale, ai duhet t’i japë një përgjigje të ndershme dhe të guximshme krizës së shpopullimit që po boshatis fshatrat dhe qytetet e vogla të vendit. Pse po ikin të rinjtë? Pse shërbimet po përqendrohen vetëm në qendra të mëdha duke i lënë periferitë pa asnjë shpresë? Politika territoriale nuk mund të jetë thjesht një copëtim hartash; ajo duhet të jetë një politikë kombëtare për mbajtjen e njerëzve në vendlindje, duke garantuar shërbime bazë kudo që jetojnë qytetarët.

Sot, të gjitha këto pyetje nuk mund të trajtohet në izolim, por duhet të lidhen ngushtë me frymën, revoltën dhe mesazhin e Revolucionit të Flamingove. Të dyja këto realitete, qoftë debati për hartën administrative që ka sjellë protestat e bashkive të eliminuara, qoftë zemërimi qytetar i manifestuar në protesta, prekin të njëjtin nerv të sëmurë të shoqërisë shqiptare: ndjesinë e thellë të qytetarit se vendimet merren diku larg tij, se institucionet janë shndërruar nga mjete përfaqësimi në instrumente kontrolli dhe se komunitetet po trajtohen si numra elektoralë e jo si njerëz me dinjitet. Në këtë kuptim, revolta e komuniteteve që rrezikojnë të humbasin zërin e tyre institucional është pjesë e së njëjtës nevojë qytetare që artikuloi Revolucioni i Flamingove. Bëhet fjalë për kërkesën që pushteti të mos sillet më si pronar i shoqërisë, por si shërbëtor i saj, duke respektuar dinjitetin, zërin dhe të drejtën e njerëzve për të vendosur mbi të ardhmen e tyre

Një nga kritikat më të forta që u ngrit gjatë valës së protestave të Revolucionit të Flamingove ishte pikërisht revolta ndaj kulturës së vendimmarrjes arbitrare, ku një qendër e vogël pushteti vendos për fatin e të gjithëve duke ndjekur vetëm një logjikë sterile efikasiteti të rremë. E njëjta logjikë e mbrapshtë shfaqet hapur te reformat territoriale të imponuara pa konsensus, ku komunitetet shihen vetëm si numër banorësh në letër, si kosto administrative që duhet reduktuar, ose thjesht si zona elektorale për t’u menaxhuar lehtësisht gjatë cikleve zgjedhore. Por një shtet demokratik nuk është kurrë një kompani private që matet ekskluzivisht me fitime, humbje dhe shpenzime operative. Rrjedhimisht, efikasiteti administrativ nuk mund të justifikojë kurrë sakrifikimin e përfaqësimit demokratik dhe të zërit të njeriut të thjeshtë.
Në fund të fundit, kjo nuk është një betejë për kufij administrativë, por për vetë kuptimin e demokracisë. Pyetja që duhet t’i përgjigjet çdo reformë nuk është sa bashki do të mbeten në hartë, por nëse pas saj qytetari do të ketë më shumë pushtet mbi jetën e tij, më shumë mundësi për të kërkuar llogari dhe më shumë ndikim mbi vendimet që e prekin drejtpërdrejt. Një shtet nuk bëhet më modern duke i larguar institucionet nga qytetarët, por duke ua afruar atyre; nuk bëhet më evropian duke përqendruar pushtetin, por duke e shpërndarë atë; nuk bëhet më efikas duke reduktuar zërat e komuniteteve, por duke i dëgjuar dhe duke u dhënë atyre përgjegjësi reale. Prandaj reforma që i duhet Shqipërisë nuk është një reformë e hartës, por një reformë e filozofisë së qeverisjes. Vendi ka nevojë për kalimin nga shteti që administron qytetarët tek shteti që iu shërben qytetarëve, nga logjika e kontrollit tek logjika e lirisë, nga centralizimi tek vetëqeverisja. Sepse demokracia nuk matet me sa bukur vizatohen kufijtë në hartë, por me sa fuqi ka qytetari për të vendosur mbi fatin e komunitetit ku jeton.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo