Mickoski: Pas më shumë se 20 viteve, filloi ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, moment historik për shtetin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar si historik fillimin e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë, projekti i së cilës, sipas tij, ishte paralajmëruar për më shumë se dy dekada.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të institucioneve të të dyja shteteve, Mickoski tha se ky projekt ishte një nga prioritetet e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja

“Pas pak më shumë se 20 vitesh ky projekt po bëhet realitet”, deklaroi Mickoski, duke shprehur pritjen që punimet të përparojnë ndjeshëm në terren dhe projekti të përfundojë në kohë rekord.

Mickoski theksoi gjithashtu se punimet ndërtimore do t’i kryejë një kompani nga Maqedonia e Veriut, duke e vlerësuar këtë si mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e vlerës së shtuar në ekonominë vendase.

Kryeministri paralajmëroi se puna nuk do të ndalet me këtë segment, duke përmendur edhe projekte të tjera në kuadër të Korridorit 8. Sipas tij, në një fazë të ardhshme pritet të ketë gjashtë segmente autostrade në ndërtim në territorin e vendit.

“Kur ndërtoni një rrugë, kur ndërtoni një autostradë, ju ndërtoni të ardhmen”, tha Mickoski, duke e lidhur investimin në infrastrukturë me krijimin e kushteve që të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe të kthehen ata që janë larguar.

Ai tha se Qeveria do të vazhdojë të fokusohet në ekonomi, rimëkëmbjen ekonomike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimin e së drejtës.

Segmenti Shkup–Bllacë përfshin rreth 10.5 kilometra dhe, për shkak të terrenit të vështirë, projekti parashikon pesë tunele, tetë ura dhe tetë galeri. Punimet për këtë pjesë pritet të përfundojnë brenda katër vitesh.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo