Mbi 250 ditë në det, mijëra marinarë në vështirësi/ Ushqime të pakta dhe lodhje në aeroplanmbajtësen amerikane
Mijëra pjesëtarë të Marinës amerikane po përballen me lodhje dhe probleme të raportuara pas më shumë se 250 ditësh në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln. Kushtet në anije kanë tërhequr vëmendjen e ligjvënësve amerikanë, të cilët po kërkojnë përgjigje nga Pentagoni.
Rreth 5 mijë persona ndodhen në bordin e aeroplanmbajtëses, e cila është në mision prej muajsh pa një datë të konfirmuar për kthimin në Shtetet e Bashkuara.
Mediat e specializuara për çështjet ushtarake kanë raportuar për mungesa ushqimore, lodhje dhe vështirësi të tjera në bordin e anijes. Sipas disa raportimeve, gjendja ka qenë aq e rënduar sa disa marinarë kanë menduar edhe të hidhen në det.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka kundërshtuar këto raportime, duke i cilësuar kushtet e përshkruara si “krejtësisht të keqinterpretuara”.
250 ditë në det, misioni zgjatet disa herë
USS Abraham Lincoln u largua nga Kalifornia në nëntor, fillimisht drejt Detit të Kinës Jugore dhe më pas u dërgua në Lindjen e Mesme, përpara sulmeve ndaj Iranit në shkurt.
Misioni ishte planifikuar fillimisht të përfundonte në maj, por është zgjatur disa herë. Deri tani nuk është bërë publike një datë përfundimtare për kthimin e aeroplanmbajtëses.
Disa media raportuan të enjten se SHBA po përgatitet ta zëvendësojë USS Abraham Lincoln me USS George Washington, në kuadër të një rotacioni të planifikuar të forcave detare.
Senatori kërkon përgjigje nga Pentagoni
Senatori demokrat i Konektikatit, Richard Blumenthal, i ka dërguar një letër Hegseth, ku rendit një sërë problemesh të raportuara në bordin e aeroplanmbajtëses.
Mes tyre janë mungesat e furnizimeve bazë, ndotja e ujit, problemet me sistemin hidraulik, përkeqësimi i shëndetit mendor, shqetësimet për sigurinë në kuvertë dhe problemet me sistemin postar.
Sipas Blumenthal, disa pako të dërguara nga familjarët për marinarët kanë humbur gjatë transportit dhe nuk kanë mbërritur në destinacion për muaj të tërë.
“Këto raportime kërkojnë vëmendje të menjëhershme”, shkroi senatori, duke ngritur edhe një çështje më të gjerë për kapacitetet e Marinës amerikane.
Blumenthal kërkon të kuptohet nëse Marina e SHBA është në gjendje të përballojë ritmin e lartë operacional që po kërkohet nga forcat e saj të aeroplanmbajtëseve.
Debati vjen në një moment kur administrata Trump po përballet me presion politik për angazhimin ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme dhe luftën me Iranin.