Mickoski: Po punojmë me përkushtim, pagat i kemi rritur me 8 mijë denarë, pensionet me 7 mijë, rritja e PBB-së është 3 për qind, ndërsa po ndërtohen 6 autostrada
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në intervistën e tij në edicionin qendror të lajmeve, në emisionin “Tema e Ditës” në TV Sitel, tha se vetëm për dy vite paga mesatare është rritur me 8.000 denarë, pensionet me 7.000 denarë, rritja e PBB-së nga 1,8 për qind ka arritur në 3,5 për qind, ndërsa aktualisht po ndërtohen gjashtë segmente autostradash, duke theksuar se Qeveria po punon me përkushtim dhe është e fokusuar në realizimin e projekteve.
“Gjatë këtyre dy viteve paga mesatare është rritur me 8.000 denarë. A është e mjaftueshme? Jo. Por, duke pasur parasysh nga ku nisëm, mendoj se është më shumë se e mjaftueshme. Pensionet i kemi rritur me 7.000 denarë. A është kjo e mjaftueshme? Jo. Por, nëse merret parasysh se pensioni mesatar ishte rreth 14.000–15.000 denarë para se kjo Qeveri të vinte në pushtet, ta rrisësh atë për 40 deri në 45 për qind brenda dy viteve është një tregues i rëndësishëm. Nëse flasim për parametrat ekonomikë, rritja ekonomike më parë ishte 1,8 për qind në vit, ndërsa tani është 3,5 për qind, pra pothuajse dyfishim i rritjes së PBB-së. Më parë nxënësit nuk kishin tekste shkollore gjatë gjithë vitit, ndërsa tani ato janë gati që në prill për vitin shkollor që fillon në shtator. Para disa ditësh, së bashku me ministren, promovuam 60.000 tekste të reja shkollore, të cilat nxënësit do t’i marrin më 1 shtator, gjë që për qeverinë e mëparshme ishte një sfidë serioze.
Nëse doni të flasim për infrastrukturën, po ndërtohen gjashtë autostrada. Të hënën do ta nënshkruajmë kontratën për ndërtimin e autostradës Bllacë–Shkup, një projekt që qytetarët e kanë pritur prej dekadash dhe që iu besua një kompanie maqedonase. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për segmentin Bukojçan–Kërçovë. Në këtë kohë vitin e ardhshëm duhet ta përdorim autostradën Kërçovë–Ohër. Po ashtu, në këtë kohë vitin e ardhshëm pres që 10 kilometrat e parë të autostradës Prilep–Manastir të jenë të hapur për qarkullim në të dy drejtimet, ndërsa ndërtimi i autostradës Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan do të jetë në kulmin e punimeve.
Për herë të parë po ndodh që në të njëjtën kohë të kemi gjashtë segmente autostradash në ndërtim. Në vitin 2024 u prodhuan 16 milionë kilogramë duhan, ndërsa në vitin 2025 – 26 milionë kilogramë. Prodhimi i rrushit në vitin 2024 ishte 70 milionë kilogramë, ndërsa në vitin 2025 arriti në 120 deri në 130 milionë kilogramë. Në gusht të vitit 2024 akumulimet ishin vetëm 8 për qind të mbushur, ndërsa sot janë 80 për qind. Në Ndërmarrjen Publike “Pyjet Nacionale” dhe në Ekonominë e Ujërave kishte tre paga të papaguara, ndërsa sot paguhet gjithëçka me rregull”, potencoi Mickoski.