Dimitrieska-Koçoska: Hapat nga Axhenda reformuese të dedikuara për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin më të mirë të financave publike janë përmbushur
1 korrik 2026, Shkup – Ministria e Financave ka shënuar progres të theksuar në zbatimin e Axhendës reformuese 2024–2027, me fokus të fuqishëm mbi transparencën, llogaridhënien dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Reformat e zbatuara janë thelbësore për përforcimin e kapaciteteve të shtetit për të absorbuar në mënyrë efikase, përkatësisht për të siguruar dhe menaxhuar mjetet e BE-së.
Ministria e Financave ka përmbushur tetë hapa, nga gjithsej 22 hapa që vendi ka përmbushur dhe që rezultuan me aprovimin e 142.1 milionë eurove në kuadër të Axhendës reformuese.
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në takimin e punës me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kushtuar realizimit të Axhendës reformuese dhe prioriteteve në procesin e integrimit evropian të vendit, theksoi se Instrumenti i reformave dhe rritjes është nxitës krucial i reformave që do të përforcojnë institucionet publike, do të përmirësojnë menaxhimin, do të stimulojnë rritjen ekonomike dhe do të përshpejtojnë rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ajo theksoi se përkushimi i Komisionit Evropian për përkrahjen e përpjekjeve tona për reforma përmes takimeve të rregullta monitoruese dhe sigurimit të asistencës teknike na ndihmon të përparojmë në fushat kryesore politike.
Si pjesë e Axhendës reformuese, Ministria e Financave përmbushi hapin që lidhet me përforcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, ku me miratimin e Ligjit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik është arritur harmonizimi i plotë me standardet ndërkombëtare dhe parimet e BE-së.
Gjithashtu, mbi 80% e shfrytëzuesve buxhetorë në nivel qendror dhe 75% në nivel lokal dorëzojnë raporte për revizionet e brendshme të kryera, ndërsa mbi 70% e shfrytëzuesve buxhetorë primarë në nivel qendror kanë hartuar dokument për menaxhimin e risqeve, duke përfshirë edhe riskun e korrupsionit dhe risqet e identifikuara i evidentojnë në planet për lehtësimin e tyre.
Më tej është edhe përforcimi i sistemit të prokurimeve publike, përkatësisht shfrytëzimi i ankandeve për prokurime gjatë vitit fiskal 2025 është ulur në maksimum prej 40% të prokurimeve, duke arritur kështu qëllimin e përcaktuar për përdorimin e e-ankandeve. Përveç kësaj, pjesëmarrja e tyre mbetet nën pragun maksimal të përcaktuar në Axhendën reformuese, duke kontribuar në rritjen e transparencës, konkurrencës dhe efikasitetit.
Po ashtu, është shënuar progres në zbatimin e Ligjit të Buxheteve, si dhe në avancimin e reformave në fushën e menaxhimit të investimeve publike.
Në fushën e menaxhimit të investimeve publike, pas miratimit të Rregullores së menaxhimit të investimeve publike, Ministria e Financave ka përgatitur dhe publikuar edhe udhëzime për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe Manualin për procesin e menaxhimit të investimeve publike, si dhe ka zhvilluar trajnim për të punësuarit në sektorin publik për zbatimin e tyre. Lista përfundimtare prioritare e projekteve të investimeve publike u miratua nga ky komitet në muajin maj të vitit 2026, ndërsa hapi i radhës është miratimi i saj nga Qeveria. Po ashtu, është zhvilluar zgjidhja e përkohshme e TI-së, e cila është plotësuar me të dhëna nga konceptet e aprovuara të projekteve dhe raportet e monitorimit, ku në këtë mënyrë është siguruar baza e centralizuar e të dhënave që përfshin si projektet në proces e sipër, ashtu edhe projektet e reja në nivel nacional, duke mbështetur përzgjedhjen e projekteve kandidate buxhetore dhe monitorimin e zbatimit financiar të tyre.
Gjatë peridhës së kaluar, si pjesë e Axhendës reformuese janë miratuar të gjitha 17 aktet nënligjore të parashikuara me Ligjin e Buxheteve. Gjithashtu, është krijuar Regjistri i Subjekteve Publike, janë rishikuar klasifikimet buxhetore dhe është racionalizuar struktura organizative e shfrytëzuesve buxhetorë, me ç’rast numri i shfrytëzuesve buxhetorë primarë është ulur nga 85 në 35, ndërsa shfrytëzuesit buxhetorë të nivelit të dytë janë identifikuar në mënyrë të qartë.
Ministria e Financave i përmbushi para afatit të përcaktuar edhe hapat që kishin të bënin me lehtësimin e qasjes në hua për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes zgjerimit të garancive të lëshuara në suaza të skemave shtetërore garantuese dhe kreditore, si dhe rritjes së numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që përfitojnë nga këto skema shtetërore garantuese dhe kreditore.
Në kuadër të kërkesës së katërt për aprovimin e mjeteve, në kuadër të Planit të rritjes, Ministria e Financave do të paraqesë dy fisha për dy hapat shumë të rëndësishëm në fushën e mjedisit afarist, në suaza të reformës që inkurajon zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) përmes miratimit dhe zbatimit të Strategjisë së re për NVM-të.
Ministria e Financave ka punuar për të përmbushur rekomandimet e Komisionit Evropian në lidhje me lehtësimin e qasjes në hua, duke ndryshuar legjislacionin përkatës për të mundësuar shfrytëzimin e mjeteve jomateriale si kolateral në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe duke përmbushur rekomandimet e Komisionit Evropian në lidhje me kryerjen hulumtimit të plotë mbi shfrytëzimin aktual të lizingut nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe dispozitat ligjore, duke vendosur ndryshimet e nevojshme për inkurajimin e shfrytëzimit të lizingut si mundësi financimi.