Mexhiti konfirmon mbështetjen për përfshirjen e Partisë Demokratike të Turqve në Qeveri





Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Partia Demokratike e Turqve duhet të bëhet pjesë e Qeverisë, duke theksuar se kjo do të ishte e rëndësishme si për përfaqësimin e komunitetit turk në vend, ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve me Turqinë, partnerin strategjik të Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në TV Sitel, i pyetur për mundësinë e përfshirjes së Partisë Demokratike të Turqve në ekzekutiv, Mexhiti tha se kjo parti tashmë nuk i përket bllokut opozitar dhe meriton të jetë pjesë e qeverisjes.

“Do të ishte mirë pasi që ata nuk janë më pjesë e bllokut opozitar dhe janë pjesë e rëndësishme e shtetit. Mendoj se duhet të jenë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Mexhiti.

Ai sqaroi se një nga arsyet kryesore për përfshirjen e kësaj partie në Qeveri është roli që mund të luajë në avancimin e bashkëpunimit me Turqinë dhe në ndërtimin e urave më të forta ndërmjet dy vendeve.

“Po ashtu, duke shtuar faktin se partner strategjik e kemi Turqinë, na duhet një urë më e mirë ndërmjet komunitetit turk, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë”, tha Mexhiti.

Sipas tij, përfshirja e Partisë Demokratike e Turqve në Qeveri do të kontribuonte në përfaqësim më të gjerë të komuniteteve, në stabilitetin e shumicës qeveritare dhe në forcimin e bashkëpunimit me një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo