Qeveria gjermane dhe shërbimet e inteligjencës ndodhen në një përplasje të brendshme lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe komunikimit të rrezikut për atentate të mundshme në Gjermani, të lidhura me tensionet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Kështu shkruan New York Times, duke iu referuar burimeve nga inteligjenca gjermane, ish-zyrtarëve të sigurisë dhe parlamentarëve, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Sipas raportimit, kancelari Friedrich Merz dhe ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt e kanë paraqitur publikisht rrezikun e sulmeve në Gjermani si hipotetik dhe jo të menjëhershëm. Megjithatë, përfaqësues të ndryshëm të strukturave të sigurisë, veçanërisht në nivel rajonal, e konsiderojnë kërcënimin më konkret dhe urgjent.
New York Times shkruan se këto dallime kanë krijuar tensione mes autoriteteve federale dhe zyrave rajonale të inteligjencës, të cilat konsiderohen më pranë objektivave potencialisht të ndjeshme dhe më të ekspozuara ndaj rrezikut.
Sipas disa zyrtarëve të sigurisë, një komunikim tepër i kujdesshëm nga qeveria mund të çojë në nënvlerësimin e kërcënimeve nga publiku. Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë federale druhen se paralajmërime më të forta mund të krijojnë panik ose të funksionojnë si një “profeci vetëpërmbushëse”.
Më 12 mars, kancelari Merz kishte njoftuar forcimin e masave të sigurisë për objektet izraelite, hebraike dhe amerikane në Gjermani, por kishte deklaruar se nuk ekzistonin elementë konkretë që të tregonin një rritje të drejtpërdrejtë të nivelit të kërcënimit në territorin gjerman.
Megjithatë, sipas New York Times, përfaqësues të aparatit të sigurisë kanë argumentuar në mënyrë jozyrtare se konflikti në Lindjen e Mesme ka rritur ndjeshëm rrezikun për sulme terroriste në Gjermani dhe në vende të tjera europiane.
Gazeta amerikane thekson gjithashtu se inteligjenca e brendshme gjermane i ka atribuar së fundmi rrjetit shiit pro-iranian “Harakat Ashab al Yamin al Islamiya” pothuajse një duzinë sulmesh në Europë.
Grupi dyshohet se ka marrë përsipër edhe një zjarrvënie të qëllimshme ndaj një restoranti izraelit në Mynih.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane deklaroi për New York Times se sinjalet për plane të mundshme iraniane në Gjermani “janë shtuar”.
Ndërkohë, zëdhënësi i kancelarit Merz, Stefan Kornelius, hodhi poshtë pretendimet për mosmarrëveshje mes qeverisë dhe inteligjencës, duke deklaruar se ekziston “unitet i plotë” në identifikimin dhe përballimin e rreziqeve të sigurisë.