Një reflektim mbi terminologjinë universitare të shqipes
Debatet terminologjike nuk janë vetëm çështje emërtimesh, por edhe çështje të mënyrës se si një gjuhë e ndërton qartësinë e vet konceptuale. Në shqipen institucionale përdoret prej dekadash sintagma arsim i lartë, një term tashmë i konsoliduar edhe në traditën juridike e akademike të shqipes. Megjithatë, nga pikëpamja terminologjike, mbetet e hapur pyetja nëse sintagma arsim sipëror do të mund të krijonte një dallim më të qartë ndërmjet sistemit universitar dhe emërtimeve të tipit shkollë e lartë, sidomos duke pasur parasysh edhe traditën terminologjike evropiane të nocionit superior.
Një term i konsoliduar në gjuhën shqipe
Sintagma arsim i lartë është përdorur prej dekadash në ligjërimin juridik, administrativ dhe universitar të gjuhës shqipe. Ajo haset në dokumente shtetërore, në literaturën akademike dhe në përdorimin institucional në gjithë hapësirën shqipfolëse.
Madje, edhe Fjalori shpjegues i gjuhës shqipe e njeh qartë këtë përdorim. Ndër kuptimet e mbiemrit i lartë, fjalori përfshin edhe kuptimin institucional e hierarkik, duke sjellë drejtpërdrejt shembullin arsim i lartë. Pra, nga pikëpamja leksikore dhe normative, ky term ka mbështetje të plotë në traditën e shqipes standarde.
Megjithatë, vetë zhvillimi i terminologjisë shpesh hap diskutime të reja, sidomos kur një term përdoret paralelisht në nocione të afërta, por jo plotësisht të njëjta.
Kur i njëjti përcaktor përdoret për nocione të ndryshme
Në terminologjinë sllave ekziston një dallim i qartë ndërmjet viša škola dhe visoko obrazovanie. Termi i parë përdorej për institucione me studime dy- ose trevjeçare, ndërsa i dyti për sistemin universitar në tërësi.
Ky dallim dëshmohet edhe në, bie fjala, fjalorët shpjegues të maqedonishtes, ku mbiemri виш (viš) përkufizohet si shkallë arsimi ndërmjet arsimit të mesëm dhe atij universitar.
Në gjuhën shqipe, viša škola është përkthyer me të drejtë si shkollë e lartë. Pikërisht këtu lind edhe reflektimi terminologjik: nëse shkollë e lartë emërton institucionin, a do të ishte më funksional që sistemi universitar në tërësi të emërtohej me një term tjetër, si arsim sipëror?
Tradita evropiane dhe nocioni superior
Në shumë gjuhë evropiane përdoret koncepti latin superior për emërtimin e sistemit universitar. Në frëngjisht përdoret enseignement supérieur, në italisht istruzione superiore, në spanjisht educación superior, ndërsa në portugalisht ensino superior.
Edhe në këto raste nocioni nuk lidhet me lartësinë në kuptimin fizik të fjalës, por me një shkallë sipërore në hierarkinë e arsimit. Në këtë kuptim, edhe vetë mbiemri sipëror në shqip bart kuptimin e diçkaje që qëndron mbi një nivel tjetër, që zë një shkallë më të ngritur ose më të zhvilluar.
Prandaj, sintagma arsim sipëror mund të shihet si një mundësi terminologjike që krijon dallim më të qartë ndërmjet institucionit, shkollë e lartë, dhe sistemit universitar në tërësi.
Terminologjia nuk ndërtohet vetëm me kalkime
Gjuha standarde nuk zhvillohet vetëm duke bartur mekanikisht modele të huaja. Çdo terminologji e qëndrueshme ndërtohet duke respektuar strukturën semantike të vetë gjuhës dhe logjikën e saj të brendshme.
Pikërisht për këtë arsye, diskutimi mbi përdorimin e sintagmës arsim sipëror nuk duhet parë si kundërvënie ndaj termit arsim i lartë, por si reflektim mbi mundësinë e një dallimi më të qartë terminologjik dhe mbi nevojën që shqipja institucionale të mbështetet jo vetëm në kalkime të trashëguara, por edhe në përvojën terminologjike evropiane dhe në potencialin kuptimor të vetë gjuhës shqipe.
Një term që tashmë përdoret
Sintagma arsim sipëror nuk është krejtësisht e panjohur në praktikën institucionale të shqipes. Ajo haset në dokumente juridike, në ligjërimin universitar dhe në terminologjinë administrative në mbarë hapësirën shqipfolëse. Në Maqedoninë e Veriut, formulimet, si: Ligji i Arsimit Sipëror apo Këshilli Nacional i Arsimit Sipëror dhe i Veprimtarisë Shkencore tregojnë se ky term tashmë ka fituar përdorim institucional dhe juridik.
Prandaj, pyetja nuk është nëse duhet hequr dorë nga një term i konsoliduar, por nëse terminologjia jonë institucionale mund të bëhet më e qartë dhe më e motivuar semantikisht.
Në fund, çështja nuk lidhet vetëm me mënyrën se si e emërtojmë sistemin universitar, por edhe me aftësinë e shqipes për të ndërtuar terminologji që shpreh qartë dallimet konceptuale që bart vetë ai sistem.
(Autori është profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.)