Dyshime për spiunazh në Kabinetin e Presidentes, Prokuroria fillon hetimet?

Dyshime serioze për spiunazh dhe nxjerrje të të dhënave nga sistemi kompjuterik në Kabinetin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, janë ngritur pas informacioneve të publikuara nga mediumi Sloboden Peçat, ndërsa për rastin tashmë po zhvillohet parahetim nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas mediumit, në redaksi ka arritur një kallëzim anonim penal, i cili është dorëzuar edhe në Prokurori dhe është nënshkruar nga një “grup të punësuarish në MPB”. Në kallëzim pretendohet se nga sistemi informatik janë kopjuar dhe enkriptuar të dhëna të ndjeshme, të cilat dyshohet se mund të kenë përfunduar te shërbime të huaja të inteligjencës.

Nën dyshim është një IT-administrator në Kabinetin e presidentes, i cili sipas pretendimeve ka kopjuar, enkriptuar dhe ruajtur të dhëna konfidenciale, ndërsa thuhet se ka qenë i lidhur me një shërbim inteligjent. Në kallëzim përmenden edhe funksionarë të tjerë nga Kabineti presidencial dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë ndihmuar në fshehjen e provave.

Po ashtu, sipas pretendimeve, edhe funksionarë të lartë qeveritarë kanë ushtruar presion ndaj presidentes dhe prokurores që rasti të mbyllet.

Personat që kanë dorëzuar kallëzimin kërkojnë hapjen e një procedure me një prokuror tjetër, ekspertizë forenzike të të gjitha pajisjeve elektronike, serverëve dhe telefonave të përdorur nga personat e dyshuar, si dhe sigurimin e videove nga kamerat e sigurisë, regjistrave elektronikë, komunikimeve dhe qasjeve në sistem.

Ajo që e shton edhe më shumë dyshimin, sipas raportimit, është fakti se Prokuroria ende nuk ka arritur të sigurojë kopjet e incizimeve nga kamerat e sigurisë, edhe pse ato janë kërkuar si nga kabineti i presidentes, ashtu edhe nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë.

Nga Kabineti i presidentes nuk kanë kthyer përgjigje për akuzat dhe informacionet e publikuara.

Ndërkohë, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka konfirmuar për mediumin se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet parahetim për “indikacione të aktiviteteve të palejuara me interes të lartë shtetëror”, pas një alarmi të dërguar nga Sektori për Krim Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme në nëntor të vitit të kaluar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo