Mersel Bilalli
Nëse do të kishim një gram tru, do të ishim në BE para të gjitha vendeve të Evropës Lindore. Paga jonë mesatare tani do të ishte afro 3000 euro, dhe fëmijët tanë do të ishin në shtëpi. Por ne jemi një shoqëri e sëmurë e udhëhequr nga udhëheqës të sëmurë me ambicie të sëmura
Padyshim, BE-ja është duke e kuptuar se Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitetin elementar të brendshëm për multietnicitet në baza liberale. Ata e kanë kuptuar se ky shtet ka një të metë të lindur biologjike për tolerancën, demokracinë dhe nevojat e të tjerëve. Se nuk ka as kapacitetin dhe potencialin elementar për të kuptuar nevojat e të tjerëve. Për disa, nuk ka logjikë dhe normalitet në interpretimin e ligjeve kur bëhet fjalë për nevojat e të tjerëve.
Një (jo)funksionalitet i tillë tashmë i ngjan një martese të mërzitshme dhe të lodhur para se të shpërbëhet kur të gjitha arsyet tregojnë për këtë – më mirë një fund i tmerrshëm sesa tmerr i pafund. Pra, a ka tmerr më të madh kur, për një çështje të thjeshtë teknike – një akt nënligjor për një “provim jurisprudence”, krijohet kaos në vend. Për një procedurë të thjeshtë, pushteti rrezikon krijimin e një konflikti të rrezikshëm ndëretnik dhe destabilizim rajonal?! Më e keqja është se ato veprime dhe reagime nuk janë kryesisht rezultat i një hendikepi kulturor midis njerëzve të zakonshëm, por më tepër midis udhëheqësve individualë të partive pro-serbe, të cilët mund të kenë një axhendë të ndryshme personale për të ardhmen e njerëzve këtu pa i pyetur ata! Kurse bëhemi se i “lutemi” Zotit publikisht, ndërsa djalli na duartroket!
Perëndimi normal padyshim që ka një problem serioz për të kuptuar sasinë e anomalisë këtu midis disa njerëzve në krye të qeverisë ose të partive politike! Është e qartë se këto janë axhenda personale të udhëheqësve individualë të do partive maqedonase në pushtet, nga vetë fakti se nuk ka një masë spontane njerëzish që kundërshtojnë pyetjen krejtësisht banale se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi i jurisprudencës! Budallallëk më i madh se ky – askund! Megjithatë, mendoj se këta janë strukturë me opsione të tjera politike për shtetin, megjithëse ja që një ministër e ka marr samarin në shpinë! Ajo axhendë e tyre, e cila me dorë në zemër nuk ka mbështetjen e një përqindjeje të madhe të qytetarëve është gati të vdesë. Së pari, babai i nderuar i botës serbe, Viktor Orban, ka vdekur. Së dyti, babai biologjik i botës serbe, Aleksandar Vuçiç, është gjithashtu në koma, për të cilin shumë persona janë të bindur se po vepron si një nacionalist i madh sepse është i frustruar, gjoja sepse babai i tij biologjik ishte një shqiptar nga Kosova. Kjo ka qarkulluar në rrjetet sociale në të gjithë Ballkanin për vite me radhë, dhe kryesisht në të gjithë Serbinë. Vuçiçit të pafat tashmë i janë shkulur ato pendët e bukura të palloit dhe është shndërruar në një çafkë të zgjebur. Për vite me radhë ai është ulur në katër karrige në të njëjtën kohë dhe ka ngrënë nga të katër pjatat.
Por le të kthehemi te tema.
Cila është arsyeja e dramatizimit dhe demonizimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën tuaj amtare, kur sot mund të merrni edhe një doktoraturë në atë gjuhë?! Përgjigja është e ngjashme me arsyen pse bashkësia etnike bullgare nuk është përfshirë në Kushtetutë! Nëse nisemi nga logjika primitive se gjuha bullgare është e dëmshme, madje e rrezikshme për shtetin, lind pyetja në mënyrë të pashmangshme, pra si mund të mos jetë gjuha serbe e rrezikshme për te?! Në të gjitha këto, rreziku i vërtetë është paranoja ose motivet e fshehta të disa njerëzve në krye të shtetit që betohen për qiellin se për sa kohë që janë gjallë (supozoj politikisht), nuk do t’i fusin kurrë bullgarët në Kushtetutë. Edhe ata janë qytetarët tanë, të cilët nuk janë fajtorë për asgjë, përveç se Zoti vendosi t’i bëjë ata bullgarë. Disa njerëz të ktuit madje e mallkojnë Zotin për këtë. Këtu, normaliteti është problematik, dhe ne menduam se anormaliteti ishte në mënyrë të pakthyeshme një gjë e së kaluarës. Por shohim se një anormalitet i tillë i mban sytë hapur paranojakisht edhe kur fle. VMRO fillimisht ishte antiserbe dhe probullgare, ndërsa tani ka evoluar krejtësisht në të kundërtën. Nuk është rastësi që futja e një pakice bullgare në Kushtetutën e RMV-së perceptohet si hedhje gjarpri në qafë. Sapo thuhet diçka e mirë për bullgarët, ajo pjesë e popullit çmendet. Por ajo hesht për serbët. Një vit më parë, deputetja serbe me origjinë maqedonase Milica Stamenkovska u ngjit në “Solunska Glava” me bandën e saj dhe ishte krenare që “ushtria serbe” kishte çliruar “vendin e tyre”! Askush nuk tha asnjë fjalë. Asnjë britmë apo fjalë nga autoritetet vmrovike! Nëse bullgarët do ta kishin thënë këtë, ne do t’i kishim shpallur luftë Bullgarisë!
Presidentja nuk e di për çfarë flet!
Presidentja e Republikës së Maqedonisë, Gordana Siljanovska, me logjikën e një papagalli vazhdon të përsërisë kriteret e Kopenhagenit si kushtet të vetme për anëtarësim në BE. Kam një ndjenjë se ajo nuk i ka lexuar fare kriteret e Kopenhagenit. Ajo gjithashtu po manipulon rregullat themelore në lidhje me anëtarësimin e vendit në BE. Ajo thotë se nuk nevojiten ndryshime kushtetuese. Dhe pikërisht në ato kritere të Kopenhagenit, në seksionin “Kriteret politike”, thuhet se vendi duhet të respektojë “të drejtat e pakicave, mbrojtjen e pakicave dhe të drejtat kulturore”. Pra, pa të drejta të tilla për bullgarët, nuk ka BE për ne. Ndërsa, ata vazhdojnë të këmbëngulin se gjuha maqedonase është një gjuhë e veçantë (e ndryshme nga bullgarishtja). Përfshirja e bullgarishtes në Kushtetutë është një detyrim imperativ. Nëse dikush kundërshton që disa shtete anëtare nuk e kanë bërë këtë, përgjigjja është se ne e humbëm atë tren në vitin 2004. Që atëherë, çdo vonesë e re lind detyrime të reja. Nëse do të kishim një gram mendje, do të ishim në BE para të gjitha vendeve të Evropës Lindore. Paga jonë mesatare tani do të ishte afro 3,000 euro, dhe fëmijët tanë do të ishin në shtëpi.
Asesi të mbushemi mend!
Duket sikur që nga fillimi këtu është punuar shumë për të shkelur normalitetin, madje edhe pas 35 vitesh, ende nuk po arrijmë të vijmë në vete. Ishim ndër vendet e para që filluam t’i bashkohemi BE-së, dhe tani po endemi në shkretëtirë ose xhungël, pa e ditur se ku po shkojmë. Ose jemi një pacient që nuk dëshiron të shërohet, ose lumturia dhe normaliteti po ikin nga ne, sepse jemi të parët që plagosëm ato. Nga një njëmenësi kemi kaluar në çmenduri! Plot 35 vjet pa zhvillim, kurse ai socializmi “i kalbur” e kishte rritur standardin njerëzor 12 herë në 35 vjet. Si arsye, disa tregojnë privatizimin e keq, të tjerë lidershipin e keq, të tjerë se jemi një shoqëri komplekse, të tjerë e kërkojnë fajin te modelet dhe sistemet zgjedhore, dhe së pesti se jemi një shtet i robëruar prej 4-5 familjesh që nuk e duan BE-në sepse po shkatërron monopolet e tyre të biznesit të zi. Megjithatë, ne jemi një shoqëri e sëmurë e udhëhequr nga udhëheqës të sëmurë me ambicie poashtu të sëmura. Në vendin tonë, marrëzia, injoranca, mungesa e ideve dhe krimi vazhdojnë të jenë një e mirë publike e përbashkët. Edhe ato pak takime udhëheqësish i ngjajnë një koleksioni të bukur thikash pas shpine. As armiqtë më të mëdhenj nuk do të na dëmtonin aq sa i bëjmë ne vetes. I gjithë angazhimi politik është i përqendruar për zgjedhjet e ardhshme, e jo në brezat e ardhshëm! Çdo shoqëri normale pretendon të krijojë institucione normale, marrëdhënie normale dhe njerëz normalë, gjë që është kryesisht e mundur vetëm me udhëheqës partiak normalë!