Djalli! – ai jemi vet ne!

Mersel Bilalli

“Të mjerë janë ata që shikojnë nga e kaluara duke i ktheyer shpinën të ardhmes”, pat thën burrështetasi i madh amerikan John F. Kennedy.
Emiri tatar, Timuri (1360–1405), një nga pushtuesit më brutalë në histori, krijoi një nga perandoritë më të mëdha në planet. Ai është varrosur në një mauzole në Samarkand, në Uzbekistanin e sotëm. Në pllakën e varrit të tij shkruan: “Një luftë e mallkuar do të fillojë për ata që e hapin këtë varr”. Për më shumë se 500 vjet, askush nuk guxoi ta bënte këtë, deri në vitin 1941, kur Stalini supersticioz, i impresionuar nga Timuri, urdhëroi që varri të hapej dhe eshtrat të silleshin në Moskë. Dhe e gjithë kjo të filmohej. Tre ditë pasi Timuri u transferua në Moskë, Hitleri sulmoi Rusinë, megjithëse të dy vendet ishin aleatë. Një nga luftërat më të përgjakshme në histori pasoi. Malik Kayumov, i cili ishte ngarkuar me filmimin e të gjithë procesit për Timurin, për çudi dështoi të filmonte diç! Pas dy vitesh, Kayumov, nëpërmjet disa gjeneralëve, i sugjeroi Stalinit të kthente eshtrat aty ku ishin, ngase shpirti i tij gjithnjë i vinte në ëndërr. Stalini, mjaft supersticioz, madje kapej edhe pas kashtës për të ndryshuar rrjedhën e luftës me Hitlerin, dëgjoi. Mrekullisht, që nga ai moment, lufta mori një kthesë pozitive për Rusinë.
Edhe ne jemi dëshmitarë të një lufte “darviniane” për jetë a vdekje midis specieve, ku më të dobëtit zhduken. Vetëm më të fortët dhe ata që i adaprohen më mirë ndryshimit mbijetojnë. Edhe ky shtet i ynë duket se është i infektuar me një murtajë mendore sepse edhe pas 35 vitesh pavarësie, ai ende nuk e ka justifikuar ekzistencën e tij. Qëllimet pozitive nuk arrihen me mendime dhe veprime negative. Nga një e kaluar e rreme e ndritshme, ne kemi krijuar një të tashme bosh dhe një të ardhme të errët! Perëndimorët thonë se qeveria jonë mbështet “botën serbe”, si një imitim të “botës ruse” (nga Osetia e Jugut, Abkhazia, Krimea, Transnistria, deri në Donbas), duke ndërtuar lumturinë e saj të rreme mbi fatkeqësinë e dikujt tjetër. Populizëm i bazuar në keqardhje për të kaluarën, “shqetësim” për të tashmen dhe injorancë për të ardhmen. Kështu fundosemi të gjithë, por jeta nuk nënkupton fundosje, por notim.
Pas Ukrainës dhe Gazës, rendi ndërkombëtar ishte i plagosur rëndë, por me Iranin ka rënë në komë, sepse udhëhiqet nga udhëheqës që nuk e dinë se armiku më i madh i së vërtetës nuk është një gënjeshtër e zhveshur, por një mit i rremë që shitet si “e vërtetë”. Nuk ka më OKB, as Këshill Sigurimi, as Kartë të OKB-së! Por ka një katastrofë për të gjithë.
Ne me ajatollahët?!
Orbani që shkoi pat kthyer zinxhirin e ndikimit rus në Evropë. Duhen shumë lopata për të varrosur atë politikë të tij! Vuçiç pa Orbanin është si një dru i vetmuar pa rrënjë, Kurse Maqedonia është vetëm një drud. Putini e lexoi gënjeshtrën e Vuçiçit në kohë, një hipokrizi që mat gjithçka përveç fytyrës. Filozofi rus Alexander Dugin (i afërt me Putinin) tha se “Vuçiç ka humbur legjitimitetin dhe se të gjithë serbët duan që ai të shkojë”. Kurse ai mburret se “e mposhti revolucionin me ngjyra”! Por të rinjtë janë të vetëdijshëm se një “udhëheqës” që ndërton mure rreth kombit të tij në vend të urave, ai po ndërton një burg kombëtar kolektiv. Dhe për Mickovskin, gjeopolitika është një “fshat spanjoll”. Ai nuk e kupton që “cari” Vuçiç nuk e fton në “shpellën” e tij për ta kurorëzuar për mbret (si në historinë e gomarit dhe luanit), por për ta futur në menu. Dugin (i quajtur “truri i Putinit”), e sheh Maqedoninë në tryezë si menu. Por prapë qeveria jonë vazhdon me logjikën e mashkullit të “Marimangës “vejushës së zezë” (që do mbarsim edhe pse në fund gëlltitet nga femra), pa e kuptuar se “bota serbe” për Maqedoninë është më e rrezikshme se “ruleta ruse”. Dihet se pasi të zgjidhet nyja iraniane, dhe pas zgjedhjeve të mesmandatit të vjeshtës, SHBA-të do të detyrohen të kthehet nga NATO dhe BE, dkurse Trump do të duhet të kënaqet me rolin e “Mbretëreshës së Anglisë”. Madje, vetëm nëse është me fat, sepse ai do t’i duhet. A udhëheqësit tanë që refuzojnë të zbatojnë një marrëveshje evropiane për ndryshimet kushtetuese, duke u rreshtuar me logjikën ose imagjinatën e ajatollahëve iranianë, do të kenë nevojë për shumë fat. Sepse logjika të çon aty ku duhet të shkosh, kurse imagjinata të çon në ëndërr.
Ne nuk dimë ekonomi!
Në vendet e Evropës Perëndimore, mesatarisht, një punonjës i sektorit publik mbulohet nga shtatë punonjës në ekonomi, kurse këtu te ne një mrekulli e paparë, një nga dy! Ky është një bekim i partishmërisë totale të pushteteve analfabet dhe një shembull klasik për vrasjen e ardhmërisë. Kjo do të thotë një miliard euro shtesë çdo vit të hedhura në shportë për punonjësit e tepërt partiak, shpesh të punësuar fiktivisht nga institucione, borde të ndryshme me të gjitha llojet e emrave! Për më tepër, ai miliard do të dyfishohej nëse investohej në ekonomi. Kjo është dy miliardë euro të hedhura në erë çdo vit. Ato para do të krijonin vlerë të re material në ekonomi dhe taksa të reja. Ajo që kemi tani, në një botë normale, së pari do të trajtohej në institucione psikiatrike, dhe pastaj në burgje. Nevojitet një lidership i vërtetë që do vendosë kritere mendore e meritore. Përndryshe, të gjithë do të përfundojmë në eksod, e këtu do të vijnë kombe të tjera që nuk do të “shqetësohen” aspak nga bullgarizimi.
“Popujt e lumtur janë ata që kanë një histori të mërzitshme” – thotë Montesquieu. Thjesht, asgjë në jetë nuk duhet të trembë. Gjërat duhet thjesht të kuptohen në mënyrën që nuk frikësojnë askend. Përveç nëse ka do qëllime të tjera pas elementit frikë. Por është e çuditshme se si historia dhe politika jonë e kohëve të fundit nuk panë asnjë rrezik në privatizimin më kriminal në histori, i cili krijoi një grup mega-oligarkësh, të cilët vazhdojnë të trembin me frikë të shpikur. Që tu ruanjnë monopolin dhe privilegjet. Madje kujtesa e shkurtër, një të keqeje të tillë i jep nofkë të bukur – “Papa”! E le të mos habitemi që e keqja ka një fole të madhe këtu, ku banojnë do “yje” që urrejnë yjet e BE-së! Kjo është arsyeja pse rinia jonë po ia mbath, njerëzit po na shkrumbohen në autobusë, në diskoteka, në anije, në spitale modulare të rreme… Dhe askush nuk po përgjigjet! Edhe mu “yje” të tillë bëjnë sikur brengosen për historinë, për gjuhën, për identitetin! Shumë prej tyre kanë një nofkë të preferuar – oligarkë, në prehrin e të cilëve ulen shumë politikanë! Andaj këtu djalli erdhi për të veten sepse ne nuk shkuam për tonën.
Megjithatë, diçka po zien patjetër. Sidomos tani që lopatat janë në lojë. Sa më e madhe të jetë lopata, aq më i ulët është morali. Varrosën të ardhmen tonë me lopata të tilla.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo