Bashkim Aliu
Jo rrallëherë hasen shkrime, madje edhe vetëm disa rreshta si statuse në rrjetet sociale, ku, në
emër të kritikës, shënjestrohet angazhimi dhe aktivitetet e qendrave islame të mërgatës shqiptare
në Perëndim. Në veçanti, një nga aktivitetet më fisnike dhe më patriotike — mësimi i nxënësve
shqiptarë në mësonjtoret e qendrave islame në Perëndim — cilësohet si antioksidental, madje
edhe antishqiptar, apo si anadollak dhe aziatik. Jo se duhet domosdoshmërisht reaguar ndaj çdo
statusi në rrjetet sociale, por nganjëherë këto shërbejnë si shkas për të nënvizuar rëndësinë e
zhvillimit të mësim-besimit në gjuhën shqipe në këto mësonjtore. Shënjestrimi i tyre si
“paradoks në Zvicër: një komb e dy imazhe, një ikonografi, dy orientime, dy shkolla, simbole të
njëjta, mësime të ndryshme — zgjidhni dhe merrni”, siç thuhet në një status në Facebook,
shpalos një diskurs që alarmon për një mendësi ende të pakonsoliduar në Perëndim. Kjo mendësi
filozofinë kombëtare dhe integruese, si dhe frymën oksidentale, i redukton në një model
përjashtues, mohues dhe në një identitet të njëtrajtshëm të formës “ne” dhe “ata”, pra “ose ne,
ose ata”, “ose me ne, ose kundër nesh”.
Kjo mendësi, e shprehur në narrativa të tilla për organizimin e manifestimeve nga nxënësit që
ndjekin mësim-besimin në mësonjtoret e qendrave islame shqiptare në Perëndim, me ikonografi
kombëtare shqiptare, e kapërcen konceptin e identitetit të shumëfishtë të individit dhe kalon në
një identitet të njëtrajtshëm që përjashton të ndryshmin. Ajo e formëson multikulturalizmin si
rrezik për vlerat perëndimore.
Ikonografia kombëtare shqiptare në këto manifestime nuk është aspak “paradoks”. Përkundrazi,
cilësimi i saj si i tillë është një përpjekje për të shtrembëruar dhe përmbysur tradita dhe
veprimtari të suksesshme me karakter kombëtar dhe integrues, në emër të mbrojtjes së vlerave
evropiane dhe të një kauze të imagjinuar kombëtare me nuanca të qarta islamofobe.
Perëndimi nuk e merr për nder atribuimin e islamofobisë si përcaktim thelbësor të diskursit të tij.
Paraqitja e tij si i “rrezikuar” nga Islami dhe myslimanët dëshmon mungesë njohjeje të filozofisë,
kulturës dhe shoqërisë perëndimore, e cila promovon dialogun, përfshirjen, mirëkuptimin, lirinë
e besimit dhe të drejtat e njeriut, në vend të paragjykimeve, përjashtimit, ngulfatjes së lirive të
tjetrit, racizmit dhe diskriminimit. Shitja e narrativave islamofobe si oksidentalizëm dhe si kujdes
për Perëndimin është një vetëmashtrim dhe një qasje e gabuar ndaj vlerave perëndimore. Kjo
krijon një imazh të rremë sikur Perëndimi nuk e duron tjetrin dhe të ndryshmin — gjë që nuk
është e vërtetë — dhe nxit një hiperinjorancë që shpesh shpie në urrejtje.
Praktika e qendrave islame shqiptare në Perëndim është, në fakt, antipod i diskursit islamofob
dhe narrativës antiperëndimore. Tradita e Islamit ndër shqiptarë, që nga koha e Rilindjes e deri
më sot, ofron një model përfshirjeje dhe jo përjashtimi, dialogu dhe jo urrejtjeje, mirëkuptimi
dhe jo paragjykimi, integrimi dhe jo izolimi apo asimilimi. Diskursi islam shqiptar i përket një
përvoje të suksesshme të të jetuarit ndërmjet dy kulturave dhe është zhvilluar në kufirin mes dy
botëve kulturore. Ai ka aftësinë të komunikojë njëkohësisht me traditën islame dhe modernitetin
evropian. I formuar përmes ndërveprimit me kultura dhe sisteme të ndryshme, ai ka kultivuar një
traditë të qëndrueshme të bashkëjetesës ndërfetare dhe brendafetare. Në këtë frymë, imamët
shqiptarë në Perëndim menaxhojnë me sukses jetën fetare të komunitetit mysliman shqiptar në
mërgatë.
Ajo që dikush e quan “paradoks në Zvicër” në fakt tregon mbetje në një mendësi të vjetër, të
bazuar në ndarje dhe stereotipe “ne” dhe “ata”, në mohimin e tjetrit dhe në moskomunikim. Këto
mendësi kanë ekzistuar në Evropë, por jo në Evropën moderne — por në atë të Mesjetës. Kjo
dëshmon për një mentalitet të dominuar nga ideologji të ngurta përjashtuese, të cilat nuk
përputhen me Evropën e hapur, pavarësisht pretendimeve në emër të saj. Përkundrazi, kjo
mendësi përbën rrezik për vetë vlerat evropiane dhe për traditën shqiptare të tolerancës dhe
mirëkuptimit ndërfetar.
Kur fëmijëve shqiptarë u mësohet feja dhe besimi në gjuhën shqipe, ata lidhen më fort me gjuhën
dhe kombin, krahas dijes fetare, dhe mbeten shqiptarë. Pretendimi se mësimi i fesë në një gjuhë
të huaj rrezikon apo zëvendëson identitetin kombëtar është i pabazë. Historia jonë tregon se feja
nuk e ka zëvendësuar identitetin kombëtar, por, përkundrazi, e ka forcuar atë. Rrugëtimi ynë
kombëtar është ndërtuar nga njerëz me besime të ndryshme, por me respekt të ndërsjellë dhe me
një qëllim të përbashkët kombëtar.
Më tepër sesa një ndarje mes Perëndimit dhe Lindjes, kemi të bëjmë me një përpjekje për t’u
paraqitur sipas standardeve personale të një pjese të shoqërisë, e cila përfaqëson shumicën në
aspektin fetar, para një opinioni perëndimor që di të gjykojë pa paragjykime. Pikërisht kjo qasje
shpesh përbën thelbin e problemit.
Ata që janë aktivë në jetën komunitare të mërgatës shqiptare nuk përdorin diskurs përjashtues
apo monopolizues të kauzës kombëtare. Ata nuk marrin rolin e gjykatësit për të vendosur se
çfarë është shqiptare dhe çfarë jo. Këtë zakonisht e bëjnë ata që kontribuojnë pak në jetën reale,
por bëjnë shumë zhurmë në botën virtuale.
Filozofia dhe kultura evropiane nuk promovojnë pranimin duke mohuar atë që je apo duke
përjashtuar tjetrin. Maskimi i frikës nga Islami dhe aktiviteti fetar legal i komunitetit nuk
ndihmon në ndërtimin e një imazhi të patriotit apo oksidentalistit.
Të rinjtë që kanë ndjekur mësonjtoret e qendrave islame kanë mësuar lidhjen e fortë me atdheun,
gjuhën shqipe dhe historinë kombëtare. Aty kanë mësuar alfabetin shqip, leximin në gjuhën
shqipe, himnin kombëtar dhe poezi të autorëve shqiptarë. Ata e ndiejnë thellë shqiptarizmin
pikërisht përmes këtij formimi.
Ky është potenciali thelbësor i angazhimit komunitar. Që ky potencial të realizohet, kërkohet
vetëdije e vazhdueshme, zhvillim i kujdesshëm dhe mbrojtje nga shtrembërimet. Ideologjitë e
ngurta dhe përjashtuese, që paraqiten si monopolizuese të kauzave, përbëjnë një kërcënim serioz
për këtë traditë.