Figura e aktorit Selim Ramadani dhe arti i pavdekësisë





Në ambientet e Sallës së Fakulteteve të Arteve te Qendra për Kulturë në Tetovë, Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë në bashkëpunim me Familjen Ramadani organizuan një aktivitet kulturor përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së Selim Ramadanit.
Aktiviteti u hap nga moderatorja Rudina Zeqiri, e cila tha: figura e Selim Ramadani zë një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare. Si aktor, poet dhe dramaturg, ai ndërtoi një profil të shumëanshëm artistik, duke lënë gjurmë të thella në skenën teatrore dhe në letërsinë shqipe. Vepra e tij karakterizohet nga ndjeshmëria poetike, fuqia dramatike dhe përkushtimi ndaj çështjeve njerëzore e kombëtare. Edhe pas dekadash mungese fizike, krijimtaria e tij vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë breza të rinj artistësh e studiuesish.
Më pas në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e shoqatës, Sadie Aliti, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, duke e cilësuar Selim Ramadanin si një ndër figurat që i dha shpirt skenës dhe fjalës artistike shqipe. Ajo nënvizoi se aktivitete të tilla janë ura që lidhin të kaluarën me të tashmen.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vlerësoi kontributin e Selim Ramadanit në afirmimin e kulturës shqiptare dhe premtoi mbështetje institucionale për nisma që promovojnë figurat e shquara kombëtare.
Ndërkaq, studiuesi dhe akademiku Agim Vinca solli një analizë të thelluar mbi krijimtarinë e Selim Ramadanit, duke e vendosur atë në kontekstin e zhvillimeve letrare dhe teatrore shqiptare. Ai e cilësoi Selim Ramadanin si një zë autentik dhe të guximshëm artistik.
Emocione të veçanta solli fjala e motrës së tij, Asije Ramadani, e cila ndau kujtime personale dhe reflektime mbi jetën dhe pasionin e tij për artin. Gjithashtu u bënë edhe promovimet e librave, “Njëmelodi e këputur” dhe “Arti dhepavdekësia”kushtuar me shumëndjenjëdherespektfigurëssëpaharruartë Selim Ramadanit, ku për librat në fjalë folën recensentët. Profesor Xhelal Zejneli foli për figurën e aktorit dhe për botimet tij pas vdekjes nga familjarët e tij.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte recitimi i tri poezive të përzgjedhura nga krijimtaria e Selim Ramadanit, interpretuar nga aktorë dhe miq të tij. Përmes interpretimit artistik, u krijua ndjesia sikur, pas 40 vitesh, ai “u rikthye” për të komunikuar sërish me publikun si poet, dramaturg dhe aktor.
Në vijim, juria profesionale e përbërë nga Ejup Ajdini, Rami Kamberi dhe Daim Iljazi ndau çmimet për poetët e përfshirë në antologjinë “Na bashkoi poezia nr. 25”. Çmimet u ndanë si vijon:
• Çmimi i parë: Lola Shehu
• Çmimi i dytë: Behare Neziri
• Çmimi i tretë: Selvije Kadriu
• Çmimi “Selim Ramadani”: Sadie Aliti
Moderatorja e aktivitetit theksoi rëndësinë e këtij organizimi si një dëshmi se poezia dhe arti kanë fuqinë të bashkojnë njerëzit dhe të mbajnë gjallë kujtesën kolektive.
Në përmbyllje të aktivitetit, nga të pranishmit u hodh propozimi që Teatri i Tetovës të mbajë emrin e Selim Ramadanit, si një akt simbolik dhe i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin skenik dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Ky propozim u mirëprit me duartrokitje, duke dëshmuar respektin dhe mirënjohjen e thellë për figurën e tij.
Ky aktivitet dëshmoi se vepra e Selim Ramadanit jo vetëm që nuk është harruar, por vazhdon të jetojë fuqishëm në ndërgjegjen kulturore të shoqërisë, duke shërbyer si burim frymëzimi për të ardhmen.

Figura e aktorit Selim Ramadani dhe arti i pavdekësisë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo