TetovaSot: VLEN drejt ndarjes – ASH e Arben Taravarit nesër merr rrugë të re?

Nesër, Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Arben Taravari, do të marrë drejtim të kundërt nga koalicioni VLEN, i cili u formua nëntë muaj më parë. Portali TetovaSot dhe TS mësojnë ekskluzivisht se Arben Taravari, bashkë me deputetët, strukturat partiake, anëtarësinë dhe simpatizuesit e ASH-së, do të marrin një vendim të përbashkët për t’u larguar nga VLEN dhe për të garuar si subjekt i vetëm në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Kjo përçarje në koalicionin VLEN, sipas burimeve të TS, vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve me Lëvizjen BESA, e cila nuk ka pranuar ofertat e ASH-së, duke u thirrur në faktin se ajo është më e fortë në disa komuna dhe i takojnë të menaxhojë katër prej tyre në zgjedhjet lokale.

Pas deklaratave të fundit të kryetarit të ASH-së, se VLEN është i pafuqishëm në këtë qeveri dhe se 70% e shqiptarëve nuk i besojnë këtij koalicioni, portale pranë Bilall Kasamit dhe Adnan Azizit, si dhe profile të rrejshme në rrjetet sociale, kanë nisur sulme të ashpra ndaj Arben Taravarit.

Ministri aktual i BESES-s, Fatmir Limani, e quajti Taravarin “Kali i Trojës”, ndërsa Bilall Kasami, në disa media vendore dhe ndërkombëtare, e “shumëzoi me zero”. Në vazhdim, Kasami foli edhe në “emër të VMRO-së”, duke akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut – një deklaratë që, sipas analistëve, nuk do ta kishte bërë as vetë VMRO-ja.

Përplasjet mes ASH-së dhe BESËS u thelluan edhe më shumë në radhët e anëtarësisë së të dy partive, aq sa u bë e qartë për opinionin se “buka është thyer”.

Ndërkohë, siç mëson portali TS, Izet Mexhiti ka tentuar ta mbajë të bashkuar koalicionin VLEN, duke lëvizur “edhe gurët në mal”, por pa sukses. Kjo për shkak se, siç thuhet, Bilall Kasami dhe Adnan Azizi nuk e pranojnë që dikush tjetër të jetë mbi ta. Prandaj, ndarja është e dhimbshme në fillim, por e domosdoshme dhe e dobishme në afat të gjatë.

Po ashtu, TS mëson se ASH-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë deri në zgjedhjet lokale, duke funksionuar si grup parlamentar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe duke punuar në drejtim të integrimit evropian të vendit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të këtij viti, dhe sipas analizave të TS, fituesja më e madhe do të jetë ASH-ja e Arben Taravarit, e cila pritet të kalojë nga menaxhimi i një komune të vetme në pesë komuna./TS/