Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, kanë prezantuar në Shkodër ‘Paketën e Maleve’, një nismë që synon mbështetje për ata që dëshirojnë të kthehen në tokat e të parëve për të zhvilluar aktivitete ekonomike.
Rama theksoi se kjo paketë ofron mundësi të reja për ata që kanë dëshirë të investojnë në agroturizëm dhe turizëm malor, duke krijuar mundësi reale për suksesin ekonomik të familjeve që rikthehen në vendlindje. “Kjo paketë adreson ëndrrën dhe dëshirën për t’u kthyer në tokën e të parëve”, u shpreh ai.
Përfituesit e parë, deri në 500 individë, do të kenë mundësinë të zhvillojnë pronësinë e tyre pa asnjë taksë për një periudhë prej 10 vitesh, njoftoi Kryeministri.
“Logjika e paketës është që është pronarëve që quhen posedues faktikë, pronarë pra jo zaptues, që nuk kanë letrat e dokumentet e pronësisë të regjistruar, janë shumë dhe janë të dëshiruar të investojnë. Ka plot nga veriu në jug, por nga ana tjetër e padiskutueshme është që nuk ka një pikë të Shqipërisë ku të mos jetë e mundur që të bësh sukses nëpërmjet agroturizmit. Mjafton syri i bashkisë për të verifikuar nëse jemi në kushtet e një trashëgimtari të ligjshëm apo jo. Kjo procedurë është shumë e thjeshtë. 500 aplikantët e parë do të jenë 10 vite pa asnjë taksë”, tha ai.