Ben Meir liston “dështimet” e Kurtit

Alon Ben-Meir, profesor amerikan në pension dhe ekspert i politikës ballkanike, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë në një artikull autorial të botuar në platformën “Emergin Europe” të enjten, duke listuar dështimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryesisht në ekonomi, shëndetësi dhe politikë të jashtme.

Ekonomia e Kosovës, sipas tij, ka ngecur për shkak të mungesës së investimeve të huaja gjatë katër viteve të fundit. Ai ka theksuar se deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit Kurti mbi kërcënimet nga Serbia kanë pasur ndikim negativ tek investitorët.

Për më tepër, ai ka shtuar se deficiti tregtar ka arritur në pesë miliardë euro për shkak të rritjes së importeve dhe uljes së eksporteve, ndërsa inflacioni ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Në politikën e jashtme, ai ka argumentuar se marrëdhëniet me Bashkimin Evropian mbeten të tensionuara, duke paraqetur rrezik për zhvillimin e Kosovës.

Ben-Meir ka identifikuar disa nga sfidat kryesore që qeveria e re e Kosovës duhet të trajtojë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve. Ai ka potencuar se, ndonëse synimi përfundimtar i Kosovës mbetet njohja reciproke me Serbinë, ky objektiv mbetet i paarritshëm pa një proces normalizimi me hapa konkretë në terren.

Ai ka nënvizuar më tej se qeveria e re duhet të përmirësojë marrëdhëniet me aleatët evropianë, veçanërisht rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjet e sigurisë. Gjithashtu, ai ka prekur nevojën për zbatimin e marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Megjithatë, arritja e progresit kërkon angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme në të gjitha frontet. Nëse Kurti fiton dhe formon qeverinë e re, ai duhet të mësojë nga përvoja e tij katërvjeçare: A do të arrijë ai ta përballojë këtë sfidë?”, ka pyetur ai.

Ndryshe, duke pasur parasysh atmosferën e tanishme politike në Kosovë, publiku duket të jetë i ndarë; një shumicë relative dëshiron ta shohë kryeministrin Kurti përsëri në krye, por në të njëjtën kohë kërkon progres konkret në një sërë çështjesh, ndërsa një pjesë tjetër shpreson në formimin e një qeverie të re koalicioni mes opozitës.