Japoni, arrestohet një person pasi shkelmoi një lepur

Një person është arrestuar pasi shkelmoi një lepur në provincën perëndimore Hiroshima të Japonisë, transmeton Anadolu.

Sipas raportimeve të mediave lokale, incidenti ndodhi dje në ishullin e vogël Okuna, i quajtur gjithashtu “Ishulli i Lepurit”, i cili është i banuar nga lepuj të egër.

I dyshuari u identifikua si Riku Hotta, 25 vjeç. Ai shkelmoi lepurin, i cili më vonë u gjet i ngordhur. Hotta thuhet se ka pranuar abuzimin e kafshëve.

Midis nëntorit dhe janarit, 77 lepuj të ngordhur u gjetën në Okuna.

Lepujt e ngordhur kishin eshtra të thyer dhe lëndime të tjera, gjë që bëri që autoritetet të besonin se ishin vrarë me qëllim.

Sipas mediave lokale, rastet e abuzimit me kafshët në Japoni janë pesëfishuar viteve të fundit.