Analiza e Sky News: Pse vizita e Joe Biden në Izrael do ta përkeqësojë krizën në Lindjen e Mesme!


Efektet në nivel diplomatik si dhe në fushën e betejës nga vizita e presidentit amerikan, Joe Biden, në Izrael, tenton të përvijojë me analizën e tij rrjeti britanik Sky News. Në veçanti, Alex Rossi, një korrespondent me bazë në Bejrut, thekson se kontrasti me udhëtimin shumë koreografik të Bidenit për të shtrënguar duart dhe për të qëndruar në solidaritet me aleatin kryesor Izraelin dhe Benjamin Netanyahun nuk mund të jetë më i ashpër.

Në rrugët që të çojnë në ambasadën e SHBA-së në Bejrut, e cila ishte e rrethuar pas rreshtave me tela me gjemba, protestuesit po vlonin nga zemërimi. Duke mbajtur flamuj dhe gurë, të cilët u hodhën në ambasadë ata u përpoqën të sulmonin ndërtesën, por u zmbrapsën nga breshëritë e gazit lotsjellës dhe plumbat e gomës.

Grupi militant i Hezbollah kishte bërë thirrje për një ditë “tërbimi të paprecedentë” pasi bombardimi i një spitali në Gaza vrau qindra njerëz. Wissam tha për Sky News se ai kishte ardhur për të mbështetur popullin e Gazës dhe për t’i ndërgjegjësuar njerëzit për atë që po ndodh atje.
“Për shkak të masakrave të kryera nga armiqtë sionistë me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara.”, tha ai. “Protestat mund të përshkallëzohen për shkak të masakrave të kryera nga Izraeli, më e fundit prej të cilave është bombardimi i fëmijëve dhe grave në spitalin Maamadani.”, vuri në dukje ai.

“Mbështetja e Amerikës për Izraelin është e qartë pas miratimit nga Joe Biden të skenarit izraelit se Hamasi ishte ai që bombardoi spitalin.”, shtoi ai.
Dhe është një refren që është pothuajse universal në të gjithë botën arabe dhe islame, thekson Sky News, përcjell dritare.net

Ka mosbesim mbi shpjegimet izraelite, askush nuk pranon që masakra në spital ishte diçka tjetër veçse një sulm ajror i IDF-së. Dhe sa më gjatë të vazhdojë bombardimi i Gazës, aq më shumë ka gjasa që ky reagim i zemëruar të përshkallëzohet në diçka shumë më të keqe.

Në kryeqytetin jordanez, Aman, me mijëra njerëz u mblodhën për të mbështetur luftën palestineze dhe për të shfryrë zemërimin e tyre kundër Izraelit dhe SHBA-së. Protestat në Egjipt ishin po aq intensive, me njerëz që demonstruan duke i bërë thirrje botës që të hapë sytë ndaj asaj që ata pretendojnë se është terrorizmi izraelit. Presidenti amerikan shpreson të kufizojë përhapjen e këtij konflikti, por Amerika në këtë rajon nuk konsiderohet një ndërmjetëse e ndershme. Përkundrazi, solidariteti i saj i palëkundur me Izraelin mund ta përkeqësojë krizën shumë më tepër./K.C/dritare.net