Vuçiq uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përgëzuar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke i uruar sukses në kryerjen e detyrave të tij, raporton Anadolu.

“Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Serbisë, ju dërgoj urimet e mia të përzemërta për rizgjedhjen tuaj President i Republikës së Türkiyes, me dëshirën që të mbeteni të përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj dhe mirëqenien e qytetarëve në këtë mandat”, ka thënë Vuçiq në mesazhin e tij të urimit, njoftoi zyra e tij.

“Për ne Türkiye është partner jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo ​​vetëm në fushën e marrëdhënieve ekonomike dhe dypalëshe, por edhe në skenën politike ndërkombëtare. Shpresoj që përveç projekteve të mëdha ekzistuese, të punojmë së bashku në sipërmarrje të reja që do të përshpejtojnë zhvillimin e fuqishëm të të gjithë rajonit, por edhe afrimin e njerëzve dhe lidhjen e ekonomive për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë ndër të tjera presidenti serb, duke e quajtur Türkiyen partner të fuqishëm për Ballkanin Perëndimor.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se sipas 75,42 për qind të votave të numëruara në mbarë vendin, Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 për qind të votave.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.

Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.

Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.