Gjendja në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut është alarmante, ndërsa dyshimet serioze për marrjen e paligjshme të diplomave dhe thirrjeve akademike e vënë në pikëpyetje cilësinë e të gjithë sistemit arsimor, vlerësoi Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Në emisionin „Studio e Natës“ në 4TV, Hodai foli për problemet me nepotizmin, avancimin akademik dhe kontrollin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.
„Situata në arsimin e lartë, nëpër universitete, është alarmante. Pra, gjendemi në një situatë ku vetëm po shtypim diploma pa kurrfarë dijeje, pa u paraqitur asnjë ditë të vetme në ndonjërin prej atyre fakulteteve“, deklaroi Hodai.
Gjatë bisedës u përmend edhe një lëndë gjyqësore në të cilën ekzistojnë dyshime për marrjen e një diplome fakulteti për 9.000 euro, pa ndjekur mësimin.
Hodai paralajmëroi se problemi nuk ka të bëjë vetëm me diplomat e studentëve, por edhe me mënyrën se si persona të caktuar fitojnë thirrje akademike.
„Këtë mund ta shohim edhe te mënyra se si janë avancuar profesorë të caktuar në thirrje akademike“, theksoi ai.
Sipas Hodait, pasojat nga dobësitë në sistemin arsimor janë afatgjata, pasi personat që fitojnë diploma dhe thirrje akademike në rrethana të dyshimta më vonë mund të marrin pozita të përgjegjshme në institucione.
Ai kërkoi llogaridhënie më të madhe nga universitetet dhe nga institucionet kompetente, si dhe zbatim të përpiktë të kritereve ligjore gjatë zgjedhjes dhe avancimit të kuadrit mësimor