BOZHINOVSKA: DIPLOMACIA ENERGJETIKE ËSHTË KYÇE PËR SIGURINË ENERGJETIKE, INVESTIMET E REJA DHE BASHKËPUNIMIN RAJONAL

Shkupi ishte nikoqir i Forumit të Parë të Diplomacisë Energjetike, ku mbi 200 pjesëmarrës dhe më shumë se 15 folës nga institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti i biznesit diskutuan për sigurinë energjetike, diversifikimin e furnizimit, ndërlidhjen rajonale dhe tranzicionin e qëndrueshëm energjetik.
Forumin e hapi ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, e cila theksoi se energjetika sot është një nga çështjet kryesore strategjike, e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, konkurrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin gjeopolitik.
Ajo theksoi se, në kushtet e krizave globale dhe tensioneve gjeopolitike, diplomacia energjetike luan rol kyç në ndërtimin e besimit, hapjen e rrugëve të reja të furnizimit, ndërlidhjen e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve afatgjata.
„Ne nuk flasim vetëm për përfaqësim, por për ndikim. Gratë duhet të përcaktojnë prioritetet, të udhëheqin negociatat, të ndërtojnë partneritete dhe të marrin përgjegjësi për rezultatet”, u shpreh Bozhinovska.
Armen Grigoryan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, theksoi se tranzicioni energjetik duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të sigurojë pjesëmarrjen aktive të grave në formësimin e së ardhmes energjetike.
„Tranzicioni energjetik nuk është vetëm çështje e teknologjisë dhe investimeve, por edhe e asaj se kush merr pjesë në formësimin e së ardhmes sonë. Tranzicioni i gjelbër duhet të sigurojë qasjen e grave në energji të pastër dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje. Përmes nismave konkrete dhe partneriteteve, UNDP-ja punon për forcimin e rolit të grave në sektorin energjetik dhe krijimin e mundësive për udhëheqjen e tyre”, theksoi Grigoryan.
Duke folur për prioritetet infrastrukturore, ministrja përmendi ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë dhe ndërlidhjen e planifikuar me Serbinë si projekte të rëndësishme për hapjen e rrugëve të reja të furnizimit dhe forcimin e sigurisë energjetike. Ajo theksoi se qëndrueshmëria dhe stabiliteti i sistemit energjetik të Ballkanit Perëndimor janë ngushtë të lidhura me sigurinë energjetike të Evropës, prandaj bashkëpunimi rajonal është prioritet i përbashkët.
Në këtë kontekst, Bozhinovska theksoi edhe partneritetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, duke nënvizuar se vlera e tyre duhet të dëshmohet përmes projekteve konkrete, investimeve dhe furnizimit më të sigurt me energji.
Ministrja foli edhe për nevojën e investimeve paralele në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në infrastrukturën elektroenergjetike. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga dielli dhe era kërkon zhvillimin dhe modernizimin e rrjeteve, të cilat do të mundësojnë transmetimin e saj të sigurt deri te konsumatorët. Në kuadër të forumit u diskutua edhe për mundësitë që ofron financimi i gjelbër për mbështetjen e familjeve dhe bizneseve të vogla në investimet në burimet e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë.
Një pjesë e rëndësishme e forumit iu kushtua udhëheqjes së grave dhe kontributit të tyre në formësimin e së ardhmes energjetike. Ministrja Bozhinovska theksoi se ekspertiza dhe përvoja e tyre profesionale duhet të njihen dhe të përfshihen në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka Deklarata e Shkupit, e cila riafirmon përkushtimin e përbashkët për sigurinë energjetike, tranzicionin e qëndrueshëm dhe udhëheqjen e grave. Me mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), po krijohen bazat për formimin e Rrjetit të Grave në Diplomacinë Energjetike.
Rrjeti synon të jetë një platformë për bashkëpunim, mentorim dhe zhvillim profesional, me qëllim përfshirjen më të madhe të grave në proceset strategjike dhe partneritetet ndërkombëtare në fushën e energjetikës.
Forumi i Parë i Diplomacisë Energjetike konfirmoi nevojën për bashkëpunim më të fuqishëm ndërkombëtar dhe rajonal, diversifikim të furnizimit dhe realizim të projekteve infrastrukturore që do të kontribuojnë në rritjen e pavarësisë dhe sigurisë energjetike. Nga Shkupi u përcoll mesazhi për diplomaci që ndërlidh, partneritete që sjellin rezultate konkrete dhe përgjegjësi të përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme energjetike.

BOZHINOVSKA: DIPLOMACIA ENERGJETIKE ËSHTË KYÇE PËR SIGURINË ENERGJETIKE, INVESTIMET E REJA DHE BASHKËPUNIMIN RAJONAL

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo