Plus 4 të arrestuar e dyshime të reja për Jeton Sylajn – Prokuroria zgjeron hetimet në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Hetimet janë zgjeruar ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, Jeton Sylaj, ish-vjehrrës së saj, Nurije Sylaj, ish-kunatit Driton Sylaj dhe dy të tjerëve Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi.

Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës, pak pasi kishte raportuar në Polici rastin për dhunë të ushtruar nga ish-bashkëshorti Jeton Sylaj. Dorasi i vrasjes, dyshohet se është kunati i saj- Albert Sylaj. Dy vëllezërit Sylaj tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht prokurori Armend Hamiti në kuadër të procedurës hetimore për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, më 24 nëntor 2026 mori aktvendim për zgjerim të hetimeve ndaj Jeton Sylajt, Nurije Sylajt, Driton Sylajt, Metë Pepajt dhe Gëzim Bobi.

Jeton Sylaj dyshohet se shtyu vëllanë në kryerjen e vrasjes

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Jeton Sylaj dyshohet se me dashje e ka shtyrë Albert Sylajn në kryerjn e veprës penale të vrasjes. Aty thuhet se pas marrjes së vendimit gjyqësor me të cilin ishte urdhëruar kthimi i Arlinda Zekajt në shtëpinë familjare, rregullimi i çështjes së përkujdesjes ndaj djalit të mitur dhe detyrimi për pagesën e alimentacionit, duke mos pranuar realizimin e këtyre të drejtave nga ana e viktimës, nga data 22 tetor 2026 ka filluar të ndërmarrë veprime dhe të komunikojë me familjarët e tij, konkretisht me Nurije Sylajn, Albert Sylajn dhe Driton Sylajn, me qëllim të pengimit të viktimës në realizimin e të drejtave të saj, duke përfshirë edhe nxitjen e mundësisë për eliminimin e saj fizik.

Në këtë drejtim, Prokuroria thotë se më 25 tetor 2026, Jeton Sylaj viktimës i është drejtuar me fjalët „shkurt e ki“, ndërsa pak para se të merrej në shoqërim nga Policia, ka zhvilluar një bisedë tek garazha me vëllanë e tij- Albert Sylajn, që më pastaj lidhet me pasojën konkrete të shkaktuar nga ky i fundit.

Në aktvendim thuhet se atë ditë, në orën 20:11:36, i pandehuri Jeton Sylaj e ka telefonuar përsëri Albert Sylajn, për ta informuar për ndalimin e tij policor në kohëzgjatje prej 48 orësh. Pas kësaj, thuhet se menjëherë sapo viktima është kthyer në shtëpi, Albert Sylaj e ka privuar atë nga jeta.

Në këtë mënyrë, Prokuroria thekson se Jeton Sylaj, përmes veprimeve dhe komunikimeve të tij të qëllimshme, ka ndikuar në formimin e vendimit kriminal të Albert Sylajt për privimin nga jeta të Arlinda Zekajt, duke e nxitur atë që të ndërmarrë veprimin kriminal, i cili më pas është realizuar.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 32 të Kodit Penal.

Prokuroria: Nurije Sylaj ishte e pranishme në dhomën ku Albert Sylaj sulmoi me sëpatë viktimën dhe nuk ndërmori asnjë veprim për të ndërprerë sulmin

Kurse, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Aty thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e saj.

Ndërsa, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo që dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kështu kushte dhe duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.

Po ashtu, në aktvendimin e Prokurorisë thuhet se në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin, ndërsa pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësi të dëshmitares, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.

Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nga provat e deritanishme, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, sidomos njërës ku shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

Me këtë, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprs penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Driton Sylaj dyshohet se përcolli lëvizjet e Arlinda Zekajt, e incizoi në rrugë dhe videon ia dërgoi nënës

Ndërsa, Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor 2026 duke ecur në qytet, ndërsa videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, me ç’rast materiali është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.

Këto veprime, Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i ka ndërmarrë duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të viktimës dhe me qëllim që, përmes sigurimit dhe transmetimit të informacioneve për lëvizjet e saj, të krijojë kushte dhe të lehtësojë realizimin e veprës penale. Dhe , pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e ka njoftuar për vrasjen e viktimës.

Me këtë, Driton Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Metë Pepaj dyshohet se e largoi me veturë nga vendi i ngjarjes Albert Sylajn dhe e transportoi në fshatin Bec

Kurse, Metë Pepaj dyshohet se më 25 tetor 2026, me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj e ka marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e ka transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largojë nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet kompetente, duke i mundësuar kështu shmangien e përkohshme nga arrestimi dhe kapja nga policia.

Me këtë, Metë Pepaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

Gëzim Bobi dyshohet se e strehoi Albert Sylajn në banesën e tij dhe më pas e dërgoi në Maznik

Në anën tjetër, Gëzim Bobi po ashtu dyshohet se me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë. Kjo pasi, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e ka marrë dhe e ka strehuar në banesën e tij në Gjakovë, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.

Ndërsa, sipas Prokurorisë më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, me automjetin e tij e ka transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes së tij dhe shmangies nga arrestimi dhe kapja prej organeve kompetente.

Me këto veprime, Gëzim Bobi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

Prokuroria ka vlerësuar se pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të dhënave të përfshira në kallëzimin penal, si dhe të provave të tjera të bashkëngjitura, konsiderohet se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e lartcekur kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Andaj, vlerësohet se janë plotësuar kushtet për fillimin/zgjerimin e hetimeve, me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave të tjera relevante, në bazë të të cilave do të vlerësohet nëse ekziston bazë për ngritjen e aktakuzës apo për pushimin e procedurës penale.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Pejë më 23 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt, i cili akuzohet se kanosi me vrasje ish-bashkëshorten.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo