Helikopteri i Forcave Ajrore turke u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor në provincën e Eskişehirit. Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit…
Pesë ushtarakë turq humbën jetën të martën pasi një helikopter ushtarak i tipit AS-532 u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor në provincën e Eskişehirit, në pjesën qendrore të Turqisë.
Ministria turke e Mbrojtjes konfirmoi viktimat dhe shprehu ngushëllime për familjet e ushtarakëve, Forcat e Armatosura dhe popullin turk.
Sipas raportimeve paraprake, helikopteri u rrëzua në një zonë rurale pranë lagjes Yörükakçayır, në distriktin Tepebaşı, rreth 25 kilometra larg qendrës së qytetit.
Autoritetet dërguan në vendngjarje ekipe zjarrfikëse dhe pjesëtarë të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Zjarrfikësit ndërmorën operacione për ftohjen e mbetjeve të helikopterit, ndërsa një helikopter tjetër patrulloi mbi zonën e aksidentit.
Autoritetet vijojnë hetimet dhe masat e sigurisë në vendngjarje. Deri në momentin e publikimit, ato nuk kishin përcaktuar shkakun e rrëzimit.