Mickoski po luan me dafinat, shqiptarët po luajnë me fatin e tyre





Nga Urim Saliu

Po presim një lajm nga Kryeministria.
Do të ketë zgjedhje?
Apo nuk do të ketë?
Është bërë si loja e vjetër me gjethet e dafinës: do të jetojë, nuk do të jetojë… do të jetojë, nuk do të jetojë.
Vetëm se kësaj radhe nuk këputen gjethet.
Këputet durimi i opinionit.
Kryeministri Hristijan Mickoski e di shumë mirë se çfarë po bën. Ai nuk po e lë vendin në pasiguri sepse nuk ka një plan. Përkundrazi. Pikërisht pasiguria është pjesë e planit të tij politik.
Sa herë rritet presioni, sa herë opozita përpiqet të krijojë një valë pakënaqësie, nga Kryeministria hidhet një “balonë prove”: ndoshta zgjedhje, ndoshta jo. Mjafton kaq që debati të zhvendoset, ritmi të prishet dhe kundërshtarët të harxhojnë energji duke komentuar një skenar që mund të mos ekzistojë fare.
Është vallëzimi perfekt i pushtetit.
Ai dirigjon ritmin.
Të tjerët kërcejnë sipas muzikës së tij.
Partnerin shqiptar në qeveri, VLEN, duket se e ka vënë prej kohësh në një gjendje rehatie politike. Pushteti ka privilegjet e veta dhe ata që i shijojnë këto privilegje zakonisht nuk kanë interes për zgjedhje të parakohshme. Pse ta rrezikojnë atë që kanë, kur mund ta zgjasin?
Në këtë logjikë, sa më gjatë të zgjasë kjo qeveri, aq më gjatë zgjasin edhe postet, kabinetet dhe ndikimi i tyre institucional.
Në anën tjetër, edhe opozita shqiptare, BDI apo Aleanca për Integrim (AKI), sipas perceptimit të shumëkujt, duket se i ka sytë po te Mickoski. Jo sepse pajtohet me të, por sepse shpreson që një ditë ai mund të ndryshojë partner politik.
Kjo është ironia e madhe.
Njëri pret të mbetet në qeveri.
Tjetri pret të hyjë në qeveri.
Dhe të dy presin vendimin e të njëjtit njeri.
Emëruesi i përbashkët nuk janë më interesat shqiptare.
Emëruesi i përbashkët është Mickoski.
Ndërkohë, LSDM-ja ndodhet në një krizë të thellë politike dhe nuk po arrin të krijojë një alternativë bindëse. Kjo vetëm sa e forcon pozitën e kryeministrit, i cili sot duket se kontrollon ritmin e gjithë skenës politike.
Në dy vjet, ai ka ndërtuar një dominim që pak kush e kishte parashikuar.
Por a është vetëm faji i tij?
Jo.
Sepse asnjë kryeministër nuk mund të dobësojë politikisht shqiptarët pa ndihmën e vetë përfaqësuesve të tyre.
Sa herë VMRO-ja përballet me presion, vëmendja zhvendoset. Në vend që debati të përqendrohet te përgjegjësia e pushtetit, foltorja e Kuvendit kthehet në arenë përplasjesh mes vetë deputetëve shqiptarë. Akuzat drejtohen më shumë ndaj njëri-tjetrit sesa ndaj politikave që kundërshtojnë.
Dhe pikërisht aty, pushteti merr frymë më lehtë.
Sepse nuk ka nevojë të mbrojë veten.
Mjafton të shohë kundërshtarët duke u konsumuar mes tyre.
Kjo është fitorja më e madhe e një pushteti: kur kundërshtarët e bëjnë punën për të.
Prandaj pyetja nuk është më nëse do të ketë zgjedhje.
Pyetja është nëse, kurdo që të mbahen ato, shqiptarët do të kenë një politikë që i bashkon rreth interesave të tyre, apo do të vazhdojnë të presin vendimin që do të vijë nga zyra e kryeministrit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo