A ka kush e ndal Darko Kostovskin e Butelit? (VIDEO)

Muhamed Zekiri

Darko Kostovski vazhdon me gjuhën e kërcënimeve dhe me etiketimin e shqiptarëve të Butelit si kriminelë. Me këtë mënyrë të komunikimit, duket sikur përpiqet të mbulojë përçarjen etnike që po shkaktojnë veprimet dhe qëndrimet e tij në këtë komunë.

Ndërkohë, për të dëshmuar se qenka mik i shqiptarëve, pothuajse çdo ditë publikon fotografi e postime me punëtorë shqiptarë të krahut në Butel. Por, Darko, ka kaluar koha kur dikush vendoste se cilët shqiptarë qenkan të mirë e cilët jo. Ka kaluar koha kur shqiptari duhej të dëshmonte vlerën e tij duke iu drejtuar shefit me përulje: “Da, shefe!”.

Shqiptarët e Butelit nuk kanë nevojë për miratimin tënd për të qenë qytetarë të barabartë. Buteli ka të rinj të aftë, intelektualë, profesionistë dhe njerëz të shkolluar, të cilët nesër do të drejtojn këtë komun mos u mërzit. Ata nuk kanë nevojë të fotografohen pranë teje për të dëshmuar se janë të vlefshëm.

Ajo që duket se të shqetëson, Darko, është ndryshimi demografik në Butel dhe rritja e numrit të shqiptarëve. Për ilustrim, në disa shkolla fillore të komunës vazhdojnë të mbahen paralele në gjuhën maqedonase edhe me vetëm pesë nxënës. Nëse ky është standardi që zbatohet, atëherë pse barazia dhe të drejtat e shqiptarëve trajtohen si problem?

As një grusht njerëzish që të duartrokasin, përfshirë edhe disa shqiptarë që i mba rreth vetes, nuk mund ta shndërrojnë përjashtimin në bashkëjetesë. Fotografitë me punëtorë shqiptarë nuk të bëjnë automatikisht mik të shqiptarëve, ashtu siç nuk të bëjnë kozmopolit deklaratat për bashkëjetesë, nëse veprimet e tua prodhojnë ndasi.

Buteli është komunë e të gjithë qytetarëve, jo pronë e Darko Kostovskit dhe as e një komuniteti të vetëm. Prandaj, nuk mundesh Jo, shqiptarët ti paraqesish si kriminelë.
Por a mos po përdoren etiketimet e shqiptarëve si „kriminelë” për të zhvendosur vëmendjen nga një çështje shumë më konkrete: ndërtimet dhe lejet e ndërtimit në Butel? Shqiptarët ankohen se projektet e tyre hasin pengesa dhe se lejet e ndërtimit nuk po miratohen, ndërsa kryetari i komunës duhet të japë përgjigje të qarta për kriteret me të cilat trajtohen kërkesat e qytetarëve.

Darko, lejet e ndërtimit nuk janë privilegj që kryetari ua jep miqve dhe ua mohon të tjerëve. Janë procedura ligjore dhe duhet të trajtohen me kritere të njëjta për të gjithë!

Dhe çështja e parkut në Butel nuk është thjesht vetëm një problem politik se nuk po rrespektohet gjuha shqipe. Dokumentacioni kadastral, për fletëpronësinë nr. 101967 në Komunën Kadastrale Butel, tregon se krahas shtetit, në të figurojnë edhe tre bashkëpronarë privatë shqiptarë. Sipas pronarëve, një pjesë e parkut është ndërtuar mbi pronën e tyre private dhe për këtë çështje është dorëzuar edhe padi në Prokurori. Kjo kërkon përgjigje të qarta nga Darko Kostovski: mbi çfarë baze është ndërhyrë në këtë pronë, a janë respektuar të drejtat e pronarëve dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse vërtetohet se prona private është shfrytëzuar pa bazë ligjore? Kryetari i komunës nuk mund të sillet sikur prona e qytetarëve të jetë pronë e tij personale.

Darko, mjaft me fotografi, etiketime dhe deklarata për bashkëjetesë. Shqiptarët nuk kërkojnë favore, por respekt, barazi dhe zbatim të ligjit. Nuk ke mandat për t’i ndarë në shqiptarë të mirë dhe shqiptarë të këqij, aq më pak për t’i frikësuar apo për t’i paraqitur si problem të komunës.

A ka kush e ndal në këtë mënyrë të qeverisjes këtë matrapaz? Apo duhet të presim që çdo ditë të prodhohet një konflikt i ri, ndërsa përgjegjësia të fshihet pas fotografive dhe propagandës?

Buteli nuk ka nevojë për një kryetar që i ndan qytetarët. Ka nevojë për një kryetar që i bashkon. Edhe Darkos do ti vijë fundi, kështu apo ashtu, sepse pozitat nuk janë të përjetshme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo