Bosnja dhe Hercegovina ua ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq

Agjencia për Inteligjencë dhe Siguri e Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA) ua ka ndaluar hyrjen në këtë shtet tre shtetasve të Serbisë: Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe Zharko Veselinoviqit.

Kundër Milan Radoiçiqit, i cili në Serbi po hetohet për përfshirjen në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, është caktuar masa e paraburgimit në Beograd. Gjithashtu, është lëshuar fletarrestim ndaj tij, pasi më 15 nëntor nuk ishte paraqitur në policinë serbe.

Ai akuzohet për organizim kriminal, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Ish-inspektori i Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se sipas informacioneve jozyrtare që disponon, Radoiçiqi është larguar nga Serbia më 12 nëntor dhe ka udhëtuar drejt Moskës.

Ndërkohë, tre pjesëtarë të grupit të tij janë dënuar në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Dy prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa njëri me 30 vjet burgim.

Edhe biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq, i cili konsiderohet një nga personat më me ndikim në Serbi dhe i afërt me strukturat qeverisëse, është larguar nga Sarajeva më 11 nëntor, duke udhëtuar drejt Stambollit me një fluturim të mëngjesit, sipas të dhënave të publikuara nga KRIK.

Veselinoviqi prej vitesh është përmendur për lidhjet e tij me nivelet më të larta të pushtetit në Serbi. KRIK ka raportuar më herët për afërsinë e tij me Andrej Vuçiqin, vëllain e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kompanitë e tij të ndërtimit kanë përfituar kontrata fitimprurëse në projekte të mëdha infrastrukturore shtetërore, me vlerë prej qindra miliona eurosh.

Një nga akuzat më të rënda ndaj tij lidhet me dyshimet për përfshirje në vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës ka shprehur dyshime për përfshirjen e Veselinoviqit dhe mikut të tij të ngushtë, Milan Radoiçiqit, në këtë rast.

Ndalimi i hyrjes në Bosnjë dhe Hercegovinë është vendosur edhe për vëllain e tij, Zharko Veselinoviq, i cili tashmë ndodhet në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Departamenti amerikan i Thesarit i ka lidhur dy vëllezërit me një organizatë kriminale, duke vlerësuar se marrëveshjet politike përfshinin mbështetjen për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), në këmbim të favoreve në biznes dhe qasjes në kontrata infrastrukturore.

Sipas raportimeve, persona të lidhur me qarqe kriminale dhe strukturat aktuale të pushtetit në Serbi po zgjedhin të largohen nga vendi, nga frika e përballjes me procese gjyqësore në rast të ndryshimit të pushtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo