Trump e pranon hapur: Spiunojmë Kinën dhe jemi më të mirë se ata





Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar publikisht se Shtetet e Bashkuara spiunojnë Kinën, duke pretenduar se Uashingtoni është më i aftë se Pekini në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës.

Deklaratat e tij u bënë në një intervistë për televizionin Fox News, përpara takimit trepalësh mes udhëheqësve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen. I pyetur për aktivitetet e spiunazhit mes dy fuqive botërore, Trump deklaroi se të dyja palët monitorojnë njëra-tjetrën, por sipas tij, Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë më mirë. “Ne spiunojmë Kinën, ata na spiunojnë ne”, tha presidenti amerikan, duke shtuar: “Mendoj se ne spiunojmë më mirë se ata”.

Trump u pyet gjithashtu nëse do t’i kërkonte Pekinit të ndalonte aktivitetet e spiunazhit kundër Shteteve të Bashkuara. Përgjigjja e tij la të kuptohej se një kërkesë e tillë do të ishte e vështirë të zbatohej, pasi edhe Uashingtoni nuk do të hiqte dorë domosdoshmërisht nga praktika të tilla. “Ata do të më kërkojnë të ndaloj së bëri këtë gjithashtu, dhe unë nuk e di nëse do ta bëja”, u shpreh Trump.

Pavarësisht deklaratave për aktivitetet e inteligjencës, presidenti amerikan theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me Kinën, veçanërisht për shkak të lidhjeve të forta ekonomike mes dy vendeve. “Ne bëjmë shumë biznes me Kinën”, deklaroi ai. Komentet e Trump vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit mbeten të karakterizuara nga konkurrenca strategjike, interesat ekonomike dhe rivaliteti në fushën e sigurisë dhe teknologjisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo